Maqedoni
Bashkëpunimi Maqedoni-Kosovë për uljen e papunësisë
25.09.2014 18:15
Agjencitë e Punësimit në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri synojnë realizimin e një portali të përbashkët të punës, që do të nënkuptonte krijimin e një tregu unik të punës...

Këtë e bëri të ditur gjatë vizitës së sotme në Agjencinë për Punësim në Shkup Dëfrim Rifaj, drejtor në Departamentin e Punës dhe Punësimit në Republikën e Kosovës.
“Ne bëmë një vizitë në Maqedoni dhe Shqipëri. Qëllimi i kësaj vizite është bashkëpunimi më i madh në mes dy ministrive, ose në mes dy shteteve. Kemi filluar edhe me një projekt që quhet “Portal pune”, që jemi Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Do të jetë një treg unik i tregut të punës”- deklaroi drejtori në Departamentin e Punës dhe Punësimit në Kosovë, Defrim Rifaj. Bashkëpunimi ndërinstitucional ofron më tepër mundësi të jemi sa më afër punëkërkuesve, tha më tej Rifaj.
Ndërsa zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim të Maqedonisë, Abdylsamet Shabani, tha se bashkëpunimi në këtë sferë mes dy vendeve është më se i nevojshëm, meqë të dy vendeve i tangon problemi i zbutjes së papunësisë.
“Gjatë ditës së sotme kemi bërë edhe prezantimin për punët të cilat i bëjmë ne si institucion, pikat e përbashkëta të cilat i kemi si dy institucione dhe sigurisht njëri-tjetrin të ndihmojmë në këmbimin e ideve të cilat janë tanimë edhe të njohura, siç është përfitimi nga fondet e Unionit Evropian”- tha zëvendësdrejtori në Agjencinë për Punësim në Maqedoni, Abdyl Samet Shabani.
Delegacioni 15 anëtarësh nga Departamenti i Punës dhe Ministria e Mirëqenies dhe Politikës Sociale të Kosovës, do të vazhdojnë vizitën në Shkup edhe gjatë ditës së nesërme, me ç’rast do të njihen me programet për vetëpunësim dhe trajnimet profesionale që realizohen në Maqedoni.
GYLTENE SINANI
