Botë

OKB, rezolutë për të cilësuar krim-mbështetjen ndaj ISIS-it

25.09.2014 18:18

Ofensiva kundër ISIS-it në Siri vazhdon me objektivë të qartë, duke shënjestruar në valën më të fundit të sulmeve ajrore..

Ofensiva kundër ISIS-it në Siri vazhdon me objektivë të qartë, duke shënjestruar në valën më të fundit të sulmeve ajrore një prej atyre që mund të konsiderohen burimet e tij më të rëndësishme financiare: rafineritë e naftës.
 
 Nga përllogaritjet e ushtrisë amerikane, këto të fundit gjenerojnë gati 2 milionë dollarë të ardhura në ditë për grupin ekstremist.
 
Nata e tretë e bombardimeve të ndërmarra nga avionë amerikanë, sauditë e të Emirateve të Bashkuara Arabe, solli edhe 19 viktima, 14 luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 5 civilë. 
 
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi në ununimitet rezolutën detyruese për masa të ashpra ndaj luftëtarëve të huaj që i bashkohen xhihadistëve.  
 
Organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara për sigurinë votoi për t'i detyruar vendet e ndryshme ta cilësojnë krim për qytetarët e tyre udhëtimin jashtë shtetit, për të luftuar në krah të militanteve.
 
Takimin e kryesoi Barak Obama, i vetmi president amerikan që e hedh një hap të tillë, duke shprehur që në çelje të sesionit, solidaritet me Francën, pasi një shtetas francez u rrëmbye dhe ju pre koka nga xhihadistët në Algjeri. Obama, paralajmëroi megjithatë se nuk mjaftojnë vetëm rezolutat për mposhtjen e ISIS-it dhe organizatave të tjera ekstremiste. 
 
“Retorika e lartë dhe qëllimet e mira nuk do t’i ndalojnë dot aktet terroriste. Fjalët e thëna sot këtu duhet të kthehen në vepra, në aksione konkrete brenda vetë vendeve dhe në mes tyre, jo vetëm në ditët e ardhshme, por edhe në vitet që do të vijnë”- tha presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.
 
Aktualisht, sipas të dhënave të “NeW York Times”, në krah të ISIS-it dhe ekstremistëve të tjerë islamik në Siri dhe Irak luftojnë më shumë se 15.000 luftëtarë të huaj. Më shumë se 2000 prej tyre mendohet se vijnë nga Evropa. Që prej muajit gusht, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë thuajse 200 sulme ajrore kundër militantëve të ISIS-it në Irak dhe prej të hënës i shtrinë operacionet edhe në Siri.
 
MIGENA GORENCA