Botë

Rrjedha veriore 2, Trump nënshkruan ligjin për sanksione

21.12.2019 13:28

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nënshkruar Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nënshkruar Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2020, duke e shndërruar në ligj. Ky legjislacion ka një dispozitë që sanksionon gazsjellësin rus Rrjedha Veriore 2.
 
Dispozita kërkon që anijet që janë të vendosura në gazsjellësin rus të përfundojnë punën e tyre “menjëherë” ose do të përballen me sanksione, përshirë këtu edhe ngrirjen e aseteve. Projekti Rrjedha Verirore 2, që është në vlerë prej 11 miliardë dollarësh, është vetëm pak javë drejt përfundimit dhe analistët janë të ndarë nëse vendosja e sanksioneve në një fazë kaq të vonë, do të ndalojë këtë projekt.
 
Por Ministri gjerman i Financave, njëherësh zëvendëskancelar, Olaf Scholz tha sot se Berlini “fuqishëm kundërshton” këtë ligj, duke i quajtur sanksionet amerikane “ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Gjermanisë dhe Evropës dhe sovranitetin e tyre”.  Komisioni Evropian tha po ashtu se po shqyrton se si kompanitë e BE-së, të përfshira në ndërtimin e këtij gazsjellësi, do të mund të preken nga legjislacioni i ri amerikan, duke shtuar se Komisioni është kundër sanksionimit të kompanive “që ushtrojnë biznesin e tyre në mënyrë ligjore”.
 
Projekti Rrjedha Veriore 2 është kundërshtuar fuqishëm nga SHBA-ja, pasi Uashingtoni beson se Evropa do të thellojë varësinë nga energjia ruse dhe do t’i japë Kremlinit fuqi më të madhe mbi shtetet e Evropës Lindore.