Botë

Pompeo dhe Maas, bisedë telefonike për situatën në Libi

21.12.2019 13:50

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm gjerman...

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar për situatën në Libi, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
 
Sekretari Pompeo dhe ministri Maas thuhet se kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me shkeljen e embargos së armëve dhe rritjen e numrit të mecerenarëve të përfshirë në luftimet në Libi. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Rusia sponsorizon mercenarët në Libi. Këto komente ai i ka bërë teksa ka mbrojtur marrëveshjen e arritur ndërmjet Ankarasë dhe Qeverisë libiane, që udhëhiqet nga Fayez Serraj dhe që mbështetet nga Kombet e Bashkuara. Konflikti në Libi nisi më 2011, pas një revolte të armatosur që çoi në rrëzimin nga pushteti të Moamer Gaddafit.
 
Në Libi aktualisht janë dy qeveri: ajo që mbështetet nga OKB-ja e që është me seli në Tripoli dhe që udhëhiqet nga Fayez Serraj dhe qeveria tjetër që udhëhiqet nga komandanti Khalifa Haftar me seli në Tobruk. Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Rusia mbështetin qeverinë e Haftarit, ndërkaq Katari dhe Turqia mbështesin qeverinë në Tripoli.