Ekonomi
Neziri prezanton volitshmëritë për investim në Maqedoni
25.09.2014 18:20
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në Konferencën “Ekonomia – bazë e bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor”, e cila u mbajt në Budvë të Malit të Zi...
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në Konferencën “Ekonomia – bazë e bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor”, e cila u mbajt në Budvë të Malit të Zi, i prezantoi volitshmëritë për investim në Maqedoni.
Në panel-diskutimin e ministrave me temë “Prosperiteti përmes bashkëpunimit–sfidat e bashkëpunimit rajonal të vendeve të Evropës Juglindore në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, ministri Neziri, theksoi se edhe krahas faktit që Maqedonia nuk ka dalje në det, megjithatë është atraktive për kompanitë e huaja, ndërsa çelësi për sukses janë dy nga nëntë zonat funksionale industriale në tërë vendin, të cilat ofrojnë kushte të volitshme për kompanitë.
“Tatimi i rrafshët të cilin e kemi aplikuar edhe për momentin është një nga tatimet më të ulëta në rajon, si dhe volitshmëritë të cilat përfshijnë lirimin nga tatimi në profit për kryerjen e tërësishme të punës në zonë, përjashtimet e caktuara nga TVSH për tregti në kuadër të zonës dhe për import në zonë, lirimi nga tatimi për të ardhura personale të punëtorëve, si dhe volitshmëritë doganore dhe shpenzimet e caktuara për veprimtari ndërtimore dhe forma tjera, ishin arsyet për interesimin e kompanive të njohura për investim në këto zona”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Në këtë panel morën pjesë ministrat nga rajoni, në kompetencën e të cilëve është ekonomia dhe zhvillimi ekonomik nga ana e përfaqësuesve të Gjermanisë dhe të BE-së, ku u vërtetua perspektiva evropiane e të gjitha shteteve të rajonit.
Në konferencën e sotme u prezantua edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjulkanoviq, i cili organizoi darkë solemne për ministrat e rajonit.
FARIJE DAUTI-BAKIU
