Maqedoni
Kongresi i BDI-së: Ali Ahmeti merr edhe një mandat si kryetar
21.12.2019 18:29
Ali Ahmeti do të drejtojë Bashkimin Demokratik për Integrim edhe në katër vitet e ardhëshme....

Ali Ahmeti do të drejtojë Bashkimin Demokratik për Integrim edhe në katër vitet e ardhëshme. Në një garë pa kundërkandidat, kongresi njëzëri votoi për kandidaturën e Ahmetit në krye të BDI-së.
Pas falënderimit për përkrahjen, Ahmeti u tha anëtarëve të kongresit që të jenë krenarë për atë që kanë bërë që nga themelimi, por i paralajmëroi se në 20 vitet e rradhës duhet bërë edhe më shumë në rritjen e cilësisë, në çdo fushë. “Rezolutat nuk duhet mbetur vetëm në letër”- theksoi Ahmeti.
“Ne na pret një detyrë shumë e vështirë. Nuk duhet mbetur vetëm një zë apo një rezolutë çështja e sundimit të ligjit dhe çështja e vetingut, këtu duhet bërë punë tejet serioze që në vend të sundojë ligji. Që ne vend të kemi veting të mirëfilltë dhe pastërti të figurave të cilët do të drejtojnë me sistemin e drejtësisë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Më shumë hapësirë për kuadrot e reja dhe cilësore, me përvoja nga jashtë, premtoi Ahmeti. Sipas tij, në periudhën e ardhëshme do të duhet angazhim për rritjen e cilësisë në arsim.
“Sot patriotizëm më i madh është të nderosh flamurin kombëtar me cilësi që duhet ta rrisim dhe ta ndërtojmë në asrim. Nuk themelohet universitet, por duhet të rritet cilësia. Të përparojmë shëndetësinë. Të rrisim cilësinë në shërbime. Ne kemi kuadro të mira. Kuadro shumë të forta që kanë përvoja nga vendet e botës perëndimore”, tha Ahmeti.
Në planin e jashtëm, procesi eurointegrues dhe marrëveshjet dypalëshe janë punë e kryer dhe BDI do t’i respektojë ato.
“Punët që na presin edhe nuk janë të vogla. Ne na mbetet që të jemi të fortë, të paluhatshëm në drejtim të respektimit të plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Të respektojmë dhe respektojmë Marrëveshjen e Prespës si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Nuk ka kthim pas”, tha Ahmeti.
Paraprakisht, Kongresi miratoi edhe Deklaratën dhe 5 rezolutatet në formën e prioriteteve programore, si: Integrim konsensual, Veting, Jetesë cilësore, Zhvillim dhe vende pune si dhe Rinia në vend të pare. Njëzëri u miratuan edhe ndryshimet statutare me të gjitha organet e reja partiake, përfshirë edhe Sekretarin për mundësi të barabarta si dhe ndryshimet që parashohin përfaqësimin e femrës në në listat zgjedhore në masën 30% dhe përfaqsimin e të rinjve deri në 30 vjet në masën 10%.
Kongresin e katërt zgjedhor u mbajt në Qendrën Sportive “Kalaja” në Shkup. Paraprakisht, BDI ka zgjedhur kryetarët e degëve dhe Këshillave vendor, që sipas partisë, thuajse, të gjithë janë kuadro të rinj nga forumi rinor dhe forumi i grave.
SHPËTIM NUREDINI
