Maqedoni

Kuvend, miratohet buxheti për vitin 2020

22.12.2019 18:31

Kuvendi miratoi Propozim-buxhetin e plotësuar për vitin 2020 dhe Propozim-ligjin për realizimin e Buxhetit....

Të ardhurat janë projektuar në rreth 3.6 miliardë euro, përkatësisht në 222 miliardë e 300 milionë denarë, që paraqet rritje prej 5,6 për qind krahasuar me këtë vit. Në fokusin e buxhetit për vitin 2020 është kapitali njerëzor, gjegjësisht sistem më i mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetje e fuqishme për rritjen e sektorit real. Mirëpo, për opozitën buxheti për vitin 2020 është jozhvillimor dhe paraqet blerje parazgjedhore të qytetarëve. Opozita shqiptare e shqetësuar që i janë refuzuar amenadamentet.
 
“Asnjë amendament i yni, i ASh-së, nuk u pranua në komisione dhe, një amendament që nuk pranohet nuk del as në seancë plenare. Ne propozuam amendamente që nuk do i gëzojnë vetëm anëtarët e ASh-së, por amendamente në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në RMV.”- tha Arta Toçi, deputete e ASH-së.
 
“Vetë titulli dhe sllogani me të cilin e promovoni buxhetin për vitin 2020, investojmë në resurse njerëzore, është një gënjeshëtr e madhe dhe mbulim për punësimet partiake, rritjen e pagave që sipas mendimit tim dhe sipas publikut në pjesën më të madhe do të shfrytëzohen si tentativë për mitdhënie zgjedhore.” - tha Bllagojçe Tërpevski, deputet i VMRO-DPMNE.
 
“Është dita e pestë që po dëgjoj tezën se buxheti është në funksion të korruptimit të votuesve, dhe meqë votuesit janë edhe qytetarë, ju në mënyrë frojdovike konfirmoni se buxheti për vitin 2020 është në favor të qytetarëve. Ata qytetarë janë edhe nga LSDM-ja edhe nga VMRO-ja edhe nga BDI-ja edhe nga PRSD edhe nga partitë e tjera politike. A do të thotë kjo se ju dhe kordinatori i grupit të deputetëve do t’i sugjeroni liderit tuaj Hristijan Mickovski që të del në konferencë për shtyp dhe të kërkojë nga pensionistët, nga arsimtarët dhe mjekët, përkrahës të VMRO DPMNE-së që të kthejnë pensionet dhe pagat e rritura?!”- tha Goran Misoski,  deputet i PRSD.
 
Me Buxhetin për vitin 2020, tek ana e shpenzimeve është planifikuar rritje prej pesë për qind në krahasim me vitin e kaluar me çka shpenzimet e përgjithshme janë 239 miliardë e 700 milionë denarë, gjegjësisht tre miliardë e 898 milionë euro. Deficiti buxhetor për vitin 2020 është paraparë në nivel prej 2,3 për qind të BPV-së, që është më i ulët se niveli në vitin 2019 kur ishte 2,5 për qind, në pajtim me Strategjinë fiskale 2020-2022 dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
 
SHPËTIM NUREDINI