Maqedoni

SASHKU në grevë, MASH mësimi do të mbahet

25.09.2014 18:21

Greva për të punësuarit në sferën e arsimi është caktuar për më 29 shtator dhe SASHK-u ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga ky vendim...

Për këtë çështje u prononcua ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i cili  thotë se e drejta e grevës është e garantuar me kushtetutë, por është habitur nga ftesa e kryetarit të SASHKU-t, Jakim Nedelkov, që nxënësit të hënën mos ta vijojnë mësimin.
 
“Kjo është shkelje flagrante e kushtetutës dhe ligjeve, sepse askush në R. M. nuk mund të ftojë nxënësit që të mos marrin pjesë në procesin edukativo-arsimor, e aq më pak kryetari i Sindikatës”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Ndërkohë, kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov, thotë se sa i përket ftesës për mosshkuarjen e nxënësve në shkollë, ishte nxjerrë nga kontesti, pasi për atë vendosin prindërit, ndërsa sindikata i fton vetëm arsimtarët në grevë.
 
“Nuk kemi pse ne t’i ftojmë nxënësit, prindërit do të vendosin gjatë kohës së grevës se a do t[i lejojnë nxënësit të shkojnë në shkollë”- tha kryetari i SASHKU-t, Jakim Nedelkov.
 
Nga MASH-i, thonë se do të respektojnë deri në fund marrëveshjen kolektive të nënshkruar me sindikatën edhe sa u përket rrogave.
 
“Ne do të respektojmë deri në fund marrëveshjen kolektive të nënshkruar me sindikatën, ku në mënyrë taksative theksohet se në periudhën e grevës rrogën bazike e siguron sindikata dhe ne do të paguajmë nëse do të angazhojmë mësues në mënyrë plotësuese, do të paguhen nga buxheti”- u shpreh ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Por, nga SASHK-u nuk ndajnë mendimin e njëjtë me ministrin.
 
“Gjatë grevës, nëse kërkohet avancim i të drejtave të punëtorëve, sindikata i paguan mëditjet, por nëse greva është për të drejta të reduktuara të  punëtorëve, mëditjet i paguan MASH- i. Me këtë rast, kemi reduktim të se drejtës për dialog social me ministrinë, andaj mëditjet duhet t’i paguan Ministria e Arsimit”- theksoi kryetari i SASHKU-t, Jakim Nedeklov.
 
Pavarësisht grevës së paralajmëruar, nga MASH-i u bëjnë thirrje nxënësve t’i vijojnë mësimet, sepse komunat dhe MASH-i do të krijojnë kushte që procesi edukativo-arsimor të vazhdojë në kontinuitet.
 
FLUTURA LATIFI