Botë

Valë e re refugjatësh, Erdogan: Nuk e përballojmë dot

23.12.2019 10:03

Turqia nuk mund ta përballojë një valë të re refugjatësh nga Siria, ndaj ka kërkuar ndihmën e vendeve europiane....

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se rreth 80 mijë emigrantë, po tentojnë të mbërrijnë në Turqi për t'i shpëtuar bombardimeve ruse dhe siriane në provincën veri-perëndimore e Idlibit. Ankaraja aktualisht strehon rreth 3,7 milionë sirianë, apo numrin më të madh të refugjatëve në botë. 3 milionë të tjerë jetojnë ende në provincën e Idlibit, rajoni i fundit sirian që kontrollohet nga luftëtarët rebelë dhe xhihadistët e rreshtuar kundër presidentit Bashar al-Asad.
 
Turqia synon që refugjatët që po strehon në vend, të kthehen në një të ashtuquajtur zonë të sigurt të Sirisë verilindore, e cila iu mor forcave kurde pas një ofensive në muajin tetor. Presidenti Erdogan ka bërë thirrje që plani për refugjatët të përkrahet gjerësisht, përndryshe do të detyrohet të hapë portat dhe të lëshojë qindra mijë sirianë në kufijtë e Europës.