Anulohet seanca për rastin “TNT”, shkak rrahja e ish kreut të Gazi Babës

23.12.2019 15:28

Rrahja që i ndodhi të dielën mbrëma ish kryetarit të komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovskit....

Rrahja që i ndodhi të dielën mbrëma ish kryetarit të komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovskit, ishte arsye që gjykata të vendos shtyrjen e seancës për rastin “TNT”.

Ish kreu i komunës së Gazi Babës, që është një nga të akuzuarit në rastin “TNT” nuk u paraqit fare në gjykatë, për arsye se, siç tha avokati i tij, ndodhet në spital për kurim nga lëndimet e marra nga incidenti.

Gjykatësi i lëndës, Ognen Stavrev, theksoi se ka dhënë urdhër që Trajkovski të arrestohet dhe të sillet në gjykatë, pasi ka marrë informacione se gjendja shëndetësore e të akuzuarit është normale. Avokati i Trajkovskit, Jovica Strashevski, theksoi se klienti i tij duhet që të shkojë në intervenim kirurgjik dhe se nuk është mirë të arrestohet, pasi që gjendja e tij reale shëndetësore është shumë e vështirë.

“Ai ka lëndime nëpër trup, siç mund të shihet në fotografitë e publikuara në media. Nuk mund të flasë, ka lëndime nga mjeti i fortë që është goditur dhe duhet të pranojë vaksinën tetanus dhe disa medikamente tjera, mjekët i rekomandojnë shtatë ditë qetësim”,- deklaroi avokati i të akuzuarit Toni Trajkovski, Jovica Strashevski.

Jozyrtarisht, mësohet se ish kreu i Gazi Babës, Trajkovski, derisa ka qenë duke shëtitur në afërsi të “Remedika”, në lagjen “Zhelezarë”,  ka takuar dy persona që kanë qenë duke e shëtitur me një qen, por pa maskë. Trajkovski ka reaguar dhe u ka thënë se ka frikë dhe për këtë kanë nisur përleshjen verbale, ndërkaq më pas personat e kanë sulmuar edhe fizikisht.

Pas zvarritjes për disa javë në këtë lëndë, gjykatësi, Ognen Stavrev, dëshiron ta përfundojë procesin këtyre ditëve, pasi ekziston mundësia e kthimit të lëndës nga e para.

Në procesin gjyqësor “TNT” për rrënimin e objektit “Kosmos” të biznesmenit, Fijat Canoski, të akuzuar janë ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-kryeministri në azil, Nikolla Gruevski, dhe ish-kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski - si logjistikë dhe të akuzuar të tjerë të komunës. (Zekirja Mexhiti, TVM2)