Maqedoni

Aksidenti në Kumanovë, vdiq një 4-vjeçar, banorët kërkojnë siguri në rrugë

23.12.2019 15:48

Pas aksidentit fatal në rrugën lokale Kumanovë – Rramanli, që rezultoi me vdekjen e një 4-vjeçari

Pas aksidentit fatal në rrugën lokale Kumanovë – Rramanli, që rezultoi me vdekjen e një 4-vjeçari, banorët protestuan kundër autoriteteve komunale që, sipas tyre, nuk po ndërmarrin asnjë masë për sigurinë në rrugën e fshatit. Ata thonë se si pasojë e rrugës së ngushtë, vozitjes së shpejtë dhe mospatrullimit të policisë së trafikut, deri tani kanë ndodhur disa aksidente vdekjeprurëse. Banorët gjithashtu kërkojnë edhe sigurimin e vendkalimit në hekurudhë, pasi që edhe në këtë vend kritik shumë njerëz kanë humbur jetën, siç ishte rasti verën e kaluar kur vdiqën tre anëtarë të një familjeje nga Haraçina.
 
“Kërkojmë nga autoritetet të zgjerojnë rrugën, vendosjen e rampave tek hekurudha, sepse nuk ka rampa, ka ndodhur tragjedi, kanë vdekur nga përplasja e trenit 3 veta, aksidenti i djeshëm që ndodhi la të vdekur një fëmijë, por më herët kanë ndodhur edhe shumë raste që ishin me fatalitet. Komuna dhe policia nuk marrin masa, kemi kërkuar shumë herë ndihmë.”,- tha një banor i fshatit Rramanli.
 
“Kërkesat tona po hasin në vesh të shurdhër. Rruga këtu është e ngushtë, mungon trotuari, ja si të shkojnë këta fëmijë kështu në shkollë kur u rrezikohet jeta çdo ditë nga veturat dhe shoferët e papërgjegjshëm.”,- u shpreh një banor i fshatit Rramanli.
 
“Përse gjatë rekonstruimit na e ngushtuan rrugën për gjysmë metër, vazhdimisht shkaku i kësaj rruge lindin probleme, kemi lloj-lloj aksidente.”,- tha një banor i fshatit Rramanli.
 
“Patjetër kjo rrugë duhet të rikontruohet, të zgjerohet, duhet të ndërtohet edhe trotuari, mungon sinjalizimi rrugorë dhe pengesat rrugore. Por, patjetër të jetë prezent edhe policia, që të kryejnë kontrolle të vozitësve.”,- theksoi një banor i fshatit Rramanli.
 
Kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ndjen keqardhje për shuarjen e një jete të re dhe potencoi se do të kërkojë nga MPB patrullime më të shpeshta në këtë rrugë mjaft të frekuentuar, ku sipas tij, nuk respektohen rregullat e qarkullimit, e kjo sjell edhe aksidente.
 
“Bëhet fjalë për një rrugë mjaft të frekuentuar të cilën qytetarët e shfrytëzojnë si rrugë alternative për të shkuar në Shkup, duke mos i respektuar shenjat e komunikacionit të vendosura nga komuna e Kumanovës. Gjithsesi, do t’i ndërmarrim të gjitha masat, por edhe do t’i apeloj MPB-së që të bëjë kontrolle më të shpeshta të automjeteve për të mos tejkaluar shpejtësinë e lejuar, sepse bëhet fjalë për një rrugë mjaft të frekuentuar. Për fat të keq infrastruktura është e atillë pa trotuare, sikurse edhe në shumë rrugë në qytetin e Kumanovës.”,- deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Rruga kryesore në fshatin Rramanli nuk përdoret vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga shoferë të tjerë, të cilët, duke dashur t’i shmangen pikëpagesës në autostradën Kumanovës – Shkup, kalojnë pikërisht nëpër Rramanli për t’u kyçur sërish në autostradë.
 
FATLUM AQIFI