Këshilli i Ambasadorëve i RMV-së: Interpretimi bullgar për gjuhën, jo kushti për në BE
Këshilli i Ambasadorëve i RMV-së vlerëson se kusht për anëtarësimin e vendit në BE....

Këshilli i Ambasadorëve i RMV-së vlerëson se kusht për anëtarësimin e vendit në BE nuk duhet të jetë interpretimi i historianëve bullgarë për prejardhjen e kombit maqedonas dhe gjuhës maqedonase.
Mosdakordimet për çështjen e gjuhës maqedonase, sipas kreut të Këshillit të Ambasadorëve, duhet të rregullohen nga faktet dhe argumentet e së vërtetës, që do ta konstatojnë komisionet e të dy vendeve.
“Këshilli i Ambasadorëve vlerëson se kusht që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e BE-së, nuk duhet të jetë, që ajo ta pranojë interpretimin e historianëve bullgarë për origjinën e kombit maqedonas dhe gjuhën maqedonase, si e vërteta e vetme historike, por ajo të bazohet në të vërtetë të përbashkët historike të konfirmuar nga komisionet të cilat janë krijuar me qëllim t’i unifikojnë dallimet në interpretimin e së kaluarës së përbashkët historike të të dy popujve në bazë të argumenteve shkencore dhe interpretimeve të shkencës historike në rajon dhe në mbarë botën.”,- shkruan në reagimin e tij kryetari i Këshillit të Ambasadorëve, Ljupço Arsovski.
Ky reagim i Këshillit të Ambasadorëve vjen pas aktualizimit të çështjes së mohimit të gjuhës maqedonase nga politikanë, shkencëtarë dhe personaliteteve të tjera bullgarë.
Krerët bullgarë disa herë kanë theksuar se poqese RMV nuk e respekton marrëveshjen e nënshkruar për fqinjësi me Bullgarinë, ku përfshihen edhe gjuha dhe kombësia maqedonase, do ta pengojnë Shkupin në fazën e negociatave për integrim. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
