Maqedoni
Ndryshimi i Kodi Zgjedhor, Mitrevski: Debati publik do të mbahet jashtë Kuvendit. Janushev: S’mbështesim ligje me procedurë kontrabanduese
23.12.2019 17:49
Debati publik për Kodin Zgjedhor, i paralajmëruar nga LSDM, do të mbahet jashtë kuvendit...

Socialdemokratët pranojnë që rregullorja nuk parashikon debat në parlament për ligj të propozuar në procedurë të shkurtuar.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, thotë se vendi i mbajtjes së debatit dhe data do të kumtohen në mënyrë shtesë. Qëllimi i debatit publik, sipas tij, është që të jepen vlerësime nga ekspertë për të bindur BDI-në dhe VMRO-DPMNE, që të tërheqin amendamentet.
“Për momentin, rregullorja nuk mundëson mbajtjen e debatit publik si definicion, i definuar në rregulloren e kuvendit, megjithatë debati publik do të mbahet. Për datën do t’iu njoftojë kryetari i Komisionit. Mendoj që debati do të mbahet jashtë ndërtesës së Kuvendit, ku do të ftohen ekspertë të fushës.”,- tha deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Nga VMRO-DPMNE thonë se s’kanë arsye të mbështesin debatin publik, pasi i njëjti s’mund të zhvillohet për një ligj i cili miratohet në procedurë të përshpejtuar. Ata akuzojnë LSDM-në se miraton ligje në mënyrë të jashtëligjshme.
“Miratimi i ligjeve në mënyrë kontrabanduese dhe kriminale nuk e shpie shtetin askund. Qëndrimi ynë është i qartë dhe nuk shoh arsye përse duhet t’i inkurajojmë në këtë që bëjnë, pasi këtë vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë kontrabanduese dhe kriminele. Asnjëherë s’janë miratuar ndryshime të Kodit Zgjedhor pa konsensus midis partive më të mëdha. Kjo është vetëm alibi për të defokusuar opinionin nga problemet reale dhe manipuluar partitë më të vogla.”,- tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi dhe vendosjen e listave të hapura janë dorëzuar afër gjashtë mijë amendamente.
Ato ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe, duke bllokuar kështu punën e Komisionit për Sistem Politik, i cili duhet të shqyrtojë të njëjtat.
MERAL ISMAILI
