Kosovë, lirohen nga paraburgimi dy imamë
Prokurori që po heton 11 imamët kosovarë të akuzuar për nxitje të ekstremizmit, Haki Gecaj, ka vendosur të enjten pasdite që të lirojë dy prej tyre...

Prokurori që po heton 11 imamët kosovarë të akuzuar për nxitje të ekstremizmit, Haki Gecaj, ka vendosur të enjten pasdite që të lirojë dy prej tyre, Enis Ramën dhe Ekrem Avdiun nga Mitrovica, duke u mundësuar mbrojtjen në liri.
Sipas prokurorisë, gjatë hetimit njëjavor janë grumbulluar faktet e nevojshme për dy të liruarit dhe për pasojë ata tani mund të qëndrojnë në arrest shtëpie.
Por, mbrojtja e imamëve në liri nuk nënkupton pafajësinë e tyre, pasi hetimet janë duke vazhduar.
Sipas prokurorisë, në ditët në vijim, mund të ndodhë që të lirohet edhe ndonjë imam tjetër. I ngarkuari me rastin e imamëve, që dyshohen se kanë rekrutuar dhe nxitur terroristë për të shkuar në luftën e Sirisë, ka sqaruar se dosja e të dyshuarve është voluminoze dhe kërkon shumë punë deri në përgatitjen e aktakuzës që mund të ngrihet.
Ditë më parë, Policia e Kosovës realizoi operacion për arrestimin e 15 imamëve dhe aktivistëve që dyshohet se kanë nxitur kosovarët për të shkuar në luftën e Sirisë dhe Irakut.
Me vendim të Gjykatës Supreme, të dyshuarit ndodhen në paraburgim për 30 ditë, derisa prokurori Gecaj të vendosë për procedurat e mëtejshme.
