Botë

Republikanët dhe demokratët, përplasje për procedurat e gjykimit të Trumpit

24.12.2019 13:03

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Senatin e ShBA-së, janë përplasur lidhur me rregullat që duhet ndjekur...

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Senatin e ShBA-së, janë përplasur lidhur me rregullat që duhet ndjekur, në gjykimin për shkarkim ose jo të presidentit amerikan, Donald Trump.
 
Udhëheqësi demokrat, Chuck Schumer, thotë se rrjedhja në publik e një e-maili në lidhje me ndihmën për Ukrainën është një rikujtesë për gjykim të hapur. Por udhëheqësi republikan, Mitch McConnell, thotë se dëshmitarët nuk janë përjashtuar.
 
Dhoma e Përfaqësuesve votoi dy akuzat kundër presidentit Trump, gjatë javës së kaluar. Ai akuzohet për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.
 
Hetimi ndaj tij fillloi pasi një informator i paidentifikuar e informoi Kongresin për një telefonatë midis presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenksyit, e zhvilluar në korrik të këtij viti.
 
Sipas tij, gjatë bisedës Trump i kishte kërkuar Zelenskyit që Ukraina të hetojë për korrupsion, rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter. Joe Biden është ndër pretendentët kryesorë, për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
 
Trump gjithashtu akuzohet se ka kushtëzuar një ndihmë financiare të SHBA-së për Ukrainën, në këmbim të hetimeve të kërkuara.
 
Por, demokratët deri më tani nuk kanë pranuar t'i dorëzojnë akuzat në Senat. Ata duan siguri nga McConnell se dëshmitarët e tyre të zgjedhur - të paktën katër ndihmës të tanishëm dhe të dikurshëm të Shtëpisë së Bardhë me njohuri për çështjen e Ukrainës - do të lejohen të dëshmojnë.
 
Republikani McConnell akuzoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për mbajtjen e "një pozicioni absurd" lidhur me vonimin e dorëzimit të akuzave, dhe tha se ajo "me sa duket po përpiqet të na tregojë se si ta udhëheqim procesin gjyqësor". Trump i ka mohuar gjitha akuzat.