Maqedoni

Rasti "TNT", epilogu gjyqësor mbetet për vitin 2020

24.12.2019 16:26

Procesi gjyqësor për rastin "TNT" edhe pas shumë tentimeve nuk arriti të përfundojë para vitit të ri...

Procesi gjyqësor për rastin "TNT" edhe pas shumë tentimeve nuk arriti të përfundojë para vitit të ri, ndërsa për këtë kontribuuan edhe bllokimet e procesit nga mbrojtja dhe të akuzuarit. Si arsye për ndërprerjen e gjykimit nga mbrojtja dhe fillimin e saj nga e para ishte përfundimi i mandatit të njërit nga gjykatësit porotë. 
 
Ndërkohë, i akuzuari, Toni Trajkovski, i cili këtë javë ishte i sulmuar fizikisht, nuk erdhi as në seancën e sotme, që ishte edhe arsyeja e anulimit të gjykimit. Gjykatësi, Ognen Stavrev, seancën e radhës e caktoi për më 17 janar. Deri atëherë, Këshilli Gjyqësor duhet të miratojë vendim me të cilin do të konstatojë se mandati i njërit nga porotët e trupit gjykues i ka përfunduar mandati dhe me këtë gjykimi duhet filluar nga e para apo të njëjtit do t’ia vazhdojë mandatin. 
 
Në gjykimin e sotëm, trupi gjykues nuk pranoi kërkesën e përfaqësuesit të prokurorisë që procedura për të akuzuarin Trajkovski dhe dy të akuzuar të tjerë të ndahet. Vendimin e tillë, prokurori Burim Rustemi e vlerësoi si të gabuar, ndërsa përjashtoi mundësinë se lënda mund të vjetërsohet.
 
“U refuzua propozimi im për ndarjen e procedurës, unë mendoj se është vendim i gabuar i gjykatësit. Vlerësoj se kishte hapësirë për ndarje dhe kushte që të përfundojë kjo lëndë që është në fazën përfundimtare. E respektojmë vendimin e gjykatës dhe me gjasë se procedura do të fillojë nga fillimi dhe do të zgjasë një periudhë të caktuar. Nuk ekziston mundësia për vjetërsim të veprës, pasi që të akuzuarit ngarkohen për vepra më të rënda penale dhe një rrethanë e tillë nuk ekziston në këtë lëndë.”,- tha prokurori publik, Burim Rustemi. 
 
I akuzuari, Toni Trajkovski, akoma është duke u kuruar nga sulmet, njoftoi avokati i tij, Jovica Strashevski. Avokati nuk komentoi nëse gjykimi do të vazhdojë me fjalë përfundimtare apo do të nisë nga fillimi.
 
“Çka do të vendosin nuk është e imja të komentoj. Ligjërisht do të duhet t’u përfundojë mandati. Në këtë mënyrë në procedurë nuk do të kishte lëshime procedurale, do të përfundonte në mënyrë ligjore dhe do të kuptohej e vërteta.”,- tha avokati mbrojtës, Jovica Strashevski.
 
Gjykimi për rrënimin e kompleksit “Kosmos” në pronësi të Fiat Canovskit procedohet prej rreth dy vitesh. I akuzuari i parë, Nikolla Gruevski, është në arrati në Hungari, ndërsa përveç tij të akuzuar janë edhe ish ministri, Mile Janakievski, ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, dhe katër persona të tjerë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI