Maqedoni
IRI: Prijnë BDI dhe VMRO-DPMNE
26.09.2014 15:09
Në një anketë të kryer në muajin shtator nga instituti prestigjioz amerikan, IRI, thuhet se të gjitha partitë politike kanë shënuar rënie të mbështetjes...

Në një anketë të kryer në muajin shtator nga instituti prestigjioz amerikan, IRI, thuhet se të gjitha partitë politike kanë shënuar rënie të mbështetjes, ndërsa VMRO-DPMNE është partia e cila shënon rënien më të madhe prej 5 për qind.
Në anketën e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), BDI shënon rënie me 1 për qind, po kështu edhe PDSH, ndërsa mbështetja për LSDM-në mbetet e njëjta.
Sipas të dhënave të anketës, VMRO-DPMNE qëndron më lart se të gjitha partitë e tjera dhe gëzon 29 për qind të mbështetjes, LSDM 10 për qind, BDI 13 për qind dhe PDSH 3 për qind.
Sa i përket mbështetjes së liderëve, besim më të madh tek qytetarët ka Nikolla Gruevski me 22 %, Ali Ahmeti me 9 %, Zoran Zaev me 4 %, Gjorge Ivanov me 3 %, Branko Cërvenkovski 3 %, Menduh Thaçi, Rufi Osmani dhe Radmila Shekerinska me 2 %.
Në anketën e IRI-t qytetarët janë pyetur edhe nëse në zgjedhjet parlamentare ka pasur presione mbi votuesit, ku 72 % e qytetarëve kanë mohuar një gjë të tillë, 15 % e kanë thënë se presionet kanë ekzistuar dhe 7 % kanë thënë se i kanë ndjerë vetë presionet.
Ndërsa në pyetjen se cila çështje politike e jashtme është më shumë e rëndësishme , 28 % e qytetarëve kanë thënë se kjo është njohja e emrit kushtetues, 25 % janë përgjigjur se është çelja e negociatave me BE-në (integrimi në BE), 22 % mendojnë se është thithja e investimeve të huaja, 11 % vlerësojnë se është anëtarësimi në NATO dhe 8 % thonë se janë marrëdhëniet me fqinjët.
Në anketën e IRI-t, qytetarët kanë pasur mundësinë që të vlerësojnë punën e institucioneve me notat prej 1 deri në 5, ku sipas qytetarëve, qeveria meriton notën 2.71, presidenti 2.8, ndërsa opozita 1.99.
BESIM ABDULLAI
