Maqedoni

Ngërçi me propozim-ligjet në Kuvend, Zaev: Zgjedhjet mund të shtyhen

24.12.2019 16:54

Zgjedhjet e paralajmëruara për më 12 prill edhe mund të shtyhen nëse vazhdon ngërçi në Parlamentin Republikan...

Zgjedhjet e paralajmëruara për më 12 prill edhe mund të shtyhen nëse vazhdon ngërçi në Parlamentin Republikan dhe nuk miratohen ligjet që kanë impakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, si pagat, pensionet dhe transferet sociale.
 
Këtë mundësi e la të hapur vetë kryeministri, Zoran Zaev, i cili konsideron se opozita po bën opstrukcione në Kuvend për të arritur këtë qëllim.     
 
“Ligjet themelore, nëse paraqesin frenim të pensioneve, të transfereve sociale apo të rritjes së pagave dhe çdo gjë që prek qytetarët dhe nënkupton jetë për ta, atëherë zgjedhjet edhe mund të pezullohen. Unë këtë nuk e dëshiroj. 100 herë kam thënë se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen, por gjithashtu e kemi obligim politik dhe qytetar që të mos lejojmë që çfarëdo qoftë të frenojë interesat e qytetarëve.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Futja në procedurë parlamentare i rreth 120 propozim-ligjeve, në fund të vitit por edhe në fund të mandatit, sipas kryeministrit Zaev, nuk paraqet risi, por as tendencë për fushatë.
 
“Vitin e kaluar, në këtë periudhë, ishin rreth 90 projekt ligje”- tha Zaev.
 
Ai ftoi deputetët e opozitës që të mos frenojnë miratimin e ligjeve, ndërsa deputetët e shumicës parlamentare që të jenë prezentë në seancë.
 
“Të gjithë ata që përpiqen, a opozita përpiqet të bllokojë, dhe këtë e shohim çdo ditë, si në komisione ashtu edhe në sesione plenare, nuk do t’i lejojmë. Njëkohësisht ftoj shumicën parlamentare që të jenë në bankat e Parlamentit. Me të vërtetë të gjithë duhet të participojmë në debatin e përgjithshëm dhe në vendimmarrjen e përgjithshme të këtyre zgjidhjeve ligjore që janë në Kuvend.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas Zaevit, ky mesazh nuk duhet të pranohet si kërcënim, por si  përgjegjësi e qeverisë që të sigurojë pagat, pensionet dhe transferet sociale pa pengesë dhe gjatë vitit tjetër.
 
Përndryshe, liderët partiakë kanë marrë vendim politik për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill. 
 
SHPËTIM NUREDINI