Maqedoni
Aksidentimi i autobusit në Llaskarcë, familjarët kërkojnë rikualifikim të veprës si vrasje
24.12.2019 17:31
Familjarët e viktimave në aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit...

Familjarët e viktimave në aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit, kërkojnë nga gjykata rikualifikim të veprës, që të akuzuarit të gjykohen për veprën penale “vrasje” dhe jo për “fatkeqësi trafiku”.
Po ashtu pala e dëmtuar kërkon që 6 të akuzuar të trajtohen si grup kriminal. Një kërkesë e tillë nga ana e avokatëve është dorëzuar në Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor.
“Nuk pajtohemi me veprën “fatkeqësi në komunikacion”, vepër e dënueshme sipas nenit 30, por propozojmë që kjo vepër penale, ku ne i humbëm më të dashurit tanë, që të rikualifikohet në vepër penale “vrasje”, sipas nenit 123. Është dërguar tashmë ky propozim dhe e dyta çështje që gjithashtu kemi propozuar është që të dyshuarit të trajtohen si grup për shoqërim kriminal, pasi në aktin konkret janë të involvuar më shumë se tre persona.”,- deklaroi prindi i Boban Avramovskit, Mitko Avramovski.
Ndërsa në vazhdimin e seancës gjyqësore u tha se ekspertiza e kryer nga Fakultetit i Makinerisë ka konstatuar se gjatë momenteve kur humbi kontrollin nuk janë prekur aspak frenat e autobusit. Po ashtu ka pasur manipulim të shpejtësisë nga takografi.
Në fatkeqësinë e 13 shkurtit të këtij viti në afërsi të fshatit Llaskarcë nga rrokullisja e autobusit të linjës Shkup-Tetovë, mbetën të vdekur 16 persona, ndërsa 37 të tjerë morën lëndime të rënda fizike.
Të akuzuar për këtë rast janë 6 persona: pronari i Kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari, dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa 3 të punësuarit e stacionit të kontrollit teknik akuzohen veprën më të lehtë, “pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale”.
ZEKIRJA MEXHITI
