Maqedoni
Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë, debat rreth propozim-ligjit për shërbim në armatë
24.12.2019 17:47
Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ka propozuar në Komisionin Kuvendor të mbrojtjes ndryshimet në Ligjin për Shërbim në Armatë...

Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ka propozuar në Komisionin Kuvendor të mbrojtjes ndryshimet në Ligjin për Shërbim në Armatë, të cilat mes tjerash parashohin që t’u sigurohet të punësuarve në armatë edhe çështja e banimit, për çka prej vitit të ardhshëm atyre do t’u ndahen nga 7000 denarë.
Shekerinska po ashtu tha se duhet të punohet në përmirësimin e standardit në armatën e vendit për të arritur standardet e NATO-s, ku vendi pret të anëtarësohet në fillim të vitit që vjen.
“Procesi i NATO-s ka treguar se punët tona në drejtim të mbrojtjes shkojnë në të mirë. A nënkupton kjo se ligji është ideal, sigurisht që jo! A është gjendja ideale, sigurisht që jo! Por, unë ju garantoj, gjithashtu edhe numrat flasin se ka përparim, si në drejtim të zgjedhjes së njerëzve, në drejtim të respektimit të rregullave dhe funksionimit të sistemit. Por, ky sistem kërkon punë, kohë dhe kontinuitet prej nesh.”,- tha ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Nga opozita maqedonase kanë vërejtje në Ligjin për Shërbimi në Armatë për pjesën e punës shtesë të personelit të mjekësisë ushtarake.
“Mund ta ndryshojmë amendamentit dhe të shkruhet se mund të punojë në shëndetësi publike jo më shumë se 10, 12 dhe 15 orë. Ajo që mund të llogaritet se është adekuate për mjek specialist dhe ajo që llogaritet se është adekuate për qendrën e mjekësisë ushtarake.”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO –DPMNE.
Kur mungon vullneti keqpërdorimet mund të ndodhin, thotë deputeti i Alternativës, Rexhep Mehmedi.
“Sa i përket rregullimit apo kohëzgjatjes së orëve kjo mund edhe të rregullohet pro kjo nuk është esenca. Nëse mungon vullneti edhe kontrolli, keqpërdorimi mund të ndodhë.”,- theksoi deputeti i alternativës, rexhep mehmedi.
Ministrja Shekerinska i propozoi Komisionin të shqyrtojë amendamentin që përfshin çështjen e mjekësisë ushtarake dhe të rregullohet në atë mënyrë që t’ju japë mundësi mjekëve specialistë për punë shtesë në Qendrën e Mjekësisë Ushtarake, sipas rregullave dhe normative ligjore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
