Maqedoni

Gjyqësori, Ivanovska: Prokuroria Publike vepron sipas porosive. Taseva: Vetingu në përputhje me Ligjin

24.12.2019 18:09

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, vlerëson se Prokuroria Publike...

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, vlerëson se Prokuroria Publike po punon nën presion dhe me porosi të caktuara. Sipas Ivanovskës, Prokuroria në kërkesat për llogaridhënie penale për lëndë të ndryshme vepron në mënyrë selektive.
 
“Arsyeja e parë është se për disa lëndë ende nuk ka përgjigje. Arsyeja e dytë është se për disa lëndë fituam përgjigje shumë të shpejta. Kjo më çon të mendoj se ka porosi të ndryshme, andaj mendoj se ende duhet shumë punë për të bërë.”,- deklaroi kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.             
                              
Për vitin që vjen Antikorrupsioni planifikon që të bëjë kontrollin e gjendjes pronësore të gjykatësve. Kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva, thotë se Këshilli Gjyqësor dhe Antikorrupsioni mund të bëjnë vetëm kontroll të gjendjes së gjykatësve, por kjo nuk do të nënkuptonte “pastrim”, ashtu siç ka propozuar kryeministri Zaev.
 
Sipas Tasevës, kjo duhet realizuar sipas ligjit, pa ndërhyrje nga jashtë.                                                                                                                                                         
                                                  
“Kjo nuk është punë e Unionit Evropian. Ata duhet të angazhohen që ne të kemi sundim të së drejtës. Nëse ne vlerësojmë se duhet të zbatojmë veting, kjo është punë e shtetit.”,- u shpreh kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva.
 
Sipas Tasevës, në detektimin e korrupsionit rol të rëndësishëm do të luanin edhe personat që do të paraqisnin një dukuri të tillë.
 
Por, sipas  përvojës së deritanishme, informatorët janë të pambrojtur dhe një pjesë e tyre pas denoncimit të korrupsionit janë ndeshur me pasoja të ndryshme gjyqësore, mobing apo ndërrim të vendit të punës.
 
MERAL ISMAILI