Maqedoni
Punonjësit e kulturës në grevë, kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes kolektive. Zaev: Fillimisht të përfundojë nivelizimi i pagave
24.12.2019 18:25
Punonjësit e kulturës janë në grevë për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes kolektive për të punësuarit në sektorin e kulturës...

Nga viti 2005 në sektorin e kulturës mbizotëron kaos për shkak të mungesës së marrëveshjes kolektive, thonë nga Sindikata. Ata thonë se kjo çështje po bisedohet dy vite me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës, por ende nuk ka zgjidhje.
“E vetmja sferë e Maqedonisë në të cilën 15 vite nuk është ripërtërirë marrëveshja kolektive është sfera e kulturës. Ndërkaq, sipas Ligjit të Maqedonisë së Veriut, çdo pesë vjet duhet që Ministria me institucionet tjera të kulturës të nënshkruajë marrëveshje të reja. Kjo nuk është realizuar.”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Teatrit të Tetovës, Elmir Sejfullai.
“Atë që e kemi si informacion për atë se çka deri tani është anuluar, janë tetë shfaqje, një ekspozitë, gjashtë projekte kinematografike, një koncert, 10 prova në teatër. Në 13 muze nuk pranohen vizitorë dhe mund të themi më shumë se 7 mijë artdashës janë “penguar” t’i vizitojnë objektet kulturore.”,- tha kryetarja e Sindikatës së Kulturës, Sanja Arsovska.
Kreu i Qeverisë theksoi se janë gati për të nënshkruar marrëveshje kolektive, por sipas kryeministrit Zaev, fillimisht në kulturë duhet të përfundojë nivelizimi i pagave.
“Ajo që kërkon Sindikata është rritja e pagave prej rreth 20 për qind, por njëkohësisht nivelizimi duhet të përfundojë plotësisht. Po flasim për kërkesat e tyre, mundësitë e shtetit do të diskutohen më vonë. Për shembull, nëse një doktor i shkencave merr pagë të barabartë me një mjeshtër të tonit, atëherë kjo nuk është në rregull dhe shembuj të tillë ekzistojnë akoma në kulturë. Për të arritur një gjendje të drejtë për të gjithë, pikërisht nivelizimi duhet ta zgjidhë atë. Unë i bëj thirrje të gjithëve të bëjnë pjesën e tyre për të arritur një marrëveshje kolektive.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas kreut të ekzekutivit, kjo marrëveshje kolektive nuk është e rëndësishme vetëm për pagat, por sjell edhe përfitime tjera në sektorin e kulturës.
BELINDA KOKA ADEMI
