Kulturë

Teatri i Operës dhe Baletit në Shkup, u prezantua opera e parë shqiptare “Skënderbeu”

24.12.2019 18:44

Opera e parë shqiptare “Skënderbeu” në Maqedoninë e Veriut u dha mbrëmë në sallën e Teatrit të Operës dhe baletit në Shkup...

Opera e parë shqiptare “Skënderbeu” në Maqedoninë e Veriut u dha mbrëmë në sallën e Teatrit të Operës dhe baletit në Shkup, shoqëruar nga orkestra e Filharmonisë së Maqedonisë nën  drejtimin e dirigjentit Olsi Qinami.
 
Opera “Skënderbeu” në Shkup vjen si një variant i ri i kompozuar nga Fatos Limani mbi libretin e shkruar nga Arian Krasniqi  dhe regjisor Qëndrim Rijhani, solo në violinë Sihana Badivuku.
 
E bazuar në historinë e Skënderbeut, opera ndahet në dy pjesë - jeta e Skënderbeut në Stamboll dhe pjesa e dytë - kthimi i Skënderbeut në Krujë. Kompozitori Fatos Limani e solli Operën “Skënderbeu” në stilin e vet, si një vepër operistike të plotë, ku nuk mungonin motivet e muzikës tradicionale shqiptare dhe kënga popullore, të interpretuara nga këngëtarët dhe trupa e baletit me koreografi të Artan Ibërshimit.
 
140 artistë - këngëtarë të operës, balerinë, korri dhe aktorët u ngjitën mbrëmë në skenë duke interpretuar drejtpërdrejt  para publikut që kishte mbushur sallën e operës.
 
Në role ishin: Skënderbeu - Armaldo Klogjeri, Fatma – Zana Abazi Ramadani, Hasan Aga - Armando Likaj, Sulltan Murati -Vasko Zdravkov, Mamica - Nina Muho etj, Këngëtare  - Besarta Murtezani, aktore në rolin e nënës Drita Kaba – Karaga.
 
Regjisori Qëndrim Rijahani kishte punuar në filigrane mizaskenat, duke i kombinuar me shije artistike personazhet, baletin dhe këngëtarët ndërtuar nga një këndvështrim bashkëkohor skenik.
 
Publiku e mirëpriti operën e parë shqiptare, dirigjentin, kompozitorin, këngëtarët dhe gjithë trupën e madhe të artisteve.
 
MERITA ÇOÇOLI