Rusia, internet të pavarur nga pjesa tjetër e botës
Rusia ka testuar me sukses internetin e saj të pavarur nga pjesa tjetër e botës...

Qeveria synon që interneti i quajtur Runet, të jetë një alternativë e vendit për internetin global.
Ministria e Komunikimeve nuk bëri të ditura më shumë detaje, por, sipas saj, përdoruesit e zakonshëm nuk vunë re ndonjë ndryshim.
"Rezultatet e ushtrimeve treguan se, në përgjithësi, si autoritetet ashtu edhe operatorët e telekomunikacionit janë të gatshëm të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve në zhvillim, për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të internetit dhe rrjetit të unifikuar të telekomunikacionit në Federatën Ruse", ka thënë zëvendësministri, Alexey Sokolov.
Rezultatet tani do t'i prezantohen presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ekspertët mbeten të shqetësuar në lidhje me prirjen e disa vendeve për të shuar internetin që përdoret tani në botë.
Më 1 nëntor, në Rusi hyri në fuqi një ligj që parasheh kontrolle të reja në internet.
Ligji i ashtuquajtur "Interneti sovran" është miratuar nga ligjvënësit dhe është nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, disa muaj më parë.
Ai u kërkon ofruesve të internetit të instalojnë pajisje që mund të drejtojnë trafikun në internetin rus, përmes pikave që kontrollohen nga shteti.
Mbështetësit e ligjit thonë se ai do ta bëjë segmentin rus të internetit - të njohur si Runet - më të pavarur.
