Botë

Nishani: Angazhohemi në luftën ndaj ekstremistëve

26.09.2014 15:48

Kërcënimi ndaj terrorizmit dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në paqen dhe sigurinë në botë...

Kërcënimi ndaj terrorizmit dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në paqen dhe sigurinë në botë, kanë qenë në qendër të fjalimit që presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.
 
Në fjalimin e tij pas mesnate, presidenti Nishani premtoi një angazhim të Shqipërisë në luftën ndaj ekstremistëve. 
 
“Terrorizmi mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe lufta kundër terrorizmit mbetet një përparësi që kërkon një angazhim më të madh. Shqipëria dënon në mënyrën më të fuqishme të gjithë aktet terroriste kryer nga grupet dhe organizatat terroriste në Irak dhe Siri, përfshirë dhe veçanërisht ato nga ISIS-i. Ne i jemi bashkuar koalicionit ndërkombëtar të krijuar së fundmi me qëllim frenimin dhe shkatërrimin në fund të këtij grupi”- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
 
Më tej, pasi ka folur për ngjarjet në Siri dhe Ukrainë, Nishani është përpjekur të lobojë edhe për shtetin më të ri në rajon, Kosovën. 
 
“Ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”- tha Nishani.
 
Më pas, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është takuar me ndihmës-sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, ku shprehu krenarinë që Shqipëria është ndër vendet e para që i është përgjigjur sfidës së luftës kundër terrorizmit.
 
LULJETA NDOKA