Maqedoni
Nexhat Agolli, vendoset në qendër të Shkupit
26.09.2014 15:51
Përmendorja e Nexhat Agollit, prej sot ngrihet në qendër të Shkupit...

Mbaruan sorollatjet burokratike dhe veprimtari i parë shqiptar në mesin e shumë përmendoreve të projektit “Shkupi 2014” më në fund u vendos aty ku e ka vendin.
Përmendorja 5 metra e lartë, kap vlerën prej 70 mijë euro dhe është punuar nga skulptori Ismet Ramiçeviq.
Së shpejti, Agollit pritet t’i bashkëngjitet edhe përmendorja e Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit, njëra në parkun përballë Parlamentit dhe tjetra përpara Teatrit të Vjetër.
Kërkesa për realizimin e tyre në kuadër të projektit "Shkupi 2014" u dorëzua nga BDI që në muajin qershor të vitit 2008-të. Përmendoret u paralajmëruan se do të vendoseshin në qendër të qytetit gjatë nëntorit të vitit 2010, megjithatë kjo nuk ndodhi.
Vendosja e tre përmendoreve shqiptare në kuadër të projektit kontrovers “Shkupi 2014”, shtyhej tashmë vite me radhë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe pengesave të ndryshme administrative në Komunën Qendër.
Sipas shumë studiuesve, Agolli është një ndër figurat e rëndësishme të historisë mbarëshqiptare, e veçanërisht e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai ka lindur në Dibër, ka diplomuar në Romë dhe është një nga doktorët e parë të shkencave juridike në Maqedoninë e pas-Luftës së Dytë Botërore.
Ai i është bashkangjitur luftës nacional-çlirimtare me idenë se tokat shqiptare pas luftës do t’i bashkëngjiten Shqipërisë. I njohur në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë për veprimtarinë e tij kundër doktrinës së shenjtë serbe, për të cilën veprimtari edhe torturohet më 1949, përderisa ishte në funksion të nënkryetarit të Qeverisë së Republikës së sapoformuar Socialiste të Maqedonisë.
Rreth natës në mes 27 dhe 28 prillit të vitit 1949, pas torturave shtazarake që zgjatën rreth 12 ditë, agjentët e Federatës nga Beogradi vendosin ta vrasin në njërën nga qelitë e burgut të Shkupit. Varri i Agollit akoma nuk dihet saktësisht se ku gjendet.
MEMEDALI JUSUFI
