Maqedoni

Zaev: Nëse opozita bllokon ligjet, nuk do të ketë zgjedhje

25.12.2019 16:29

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi se është e mundur shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit...

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi se është e mundur shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit, nëse VMRO-DPMNE vazhdon të bllokojë proceset për sjelljen e ligjeve në Kuvend. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se a do të shtyhen zgjedhjet, Zaev tha se nuk mendon dorëheqjen nëse dikush me qëllim bën obstruksione, prej të cilave dëmin e pësojnë qytetarët.
 
“Unë jam njeriu i parë që dëshiron t’u përmbahet procedurave. Por, në rast se lejohet që opozita në mënyrë të dukshme në Kuvend të bllokojë ligjet për realizimin e projekteve shtetërore tejet të rëndësishme për qytetarët, këto janë arsye serioze për LSDM-në që të shtyjë zgjedhjet. Unë jam i pari që respektoj dialogun, por nuk kam për qëllim të dorëhiqem nëse dikush bllokon proceset. Nuk do të lejoj që dikush të bëjë obstruksione të zgjidhjeve ligjore. E drejta e diskutimit ekziston, por e drejta e bllokimit të qëllimshëm të proceseve nuk është e lejueshme.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kryeministri teknik, Zaev: Spasovski adekuat, vendimi nga organet partiake
 
E megjithëse pranon si opsion shtyrjen e zgjedhjeve, puna për zgjedhjen e  kryeministrit teknik vazhdon. Ministri aktual i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, është një nga zgjidhjet adekuate, por vendimin do ta sjellin organet partiake të LSDM-së të premten.
 
“Kur do të formalizohet vendimi i njëjtë do të kumtohet, sepse nëse unë tani them diçka, cili do të jetë qëllimi i mbajtjes së komitetit qendror. Do të thonë njerëzit se pse na ftoni kur ju keni vendosur.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nëse zgjedhjet mbahen sipas marrëveshjes më 12 prill, kryeministri Zaev duhet të dorëhiqet më 3 janar, kur do të formohet Qeveria e re teknike. VMRO-DPMNE do të ketë ministrat në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale. Kuvendi duhet të shpërbëhet 60 ditë para zgjedhjeve, apo më 12 shkurt.
 
FLUTURA LATIFI