Maqedoni

Papa Françesku: Zoti na do, i do edhe më të këqijtë mes nesh. Gëzuar krishtlindjen!

25.12.2019 17:03

Besimtarët katolikë dhe një pjesë e besimtarëve ortodoksë, sipas kalendarit Gjeorgjian...

Besimtarët katolikë dhe një pjesë e besimtarëve ortodoksë, sipas kalendarit Gjeorgjian, festojnë Krishtlindjet. “Krishtlindja na kujton se Zoti ende na do, madje edhe më të këqijtë prej nesh”,- tha mes tjerash Papa Françesku, duke u bërë thirrje 1.3 miliard katolikëve të mos lejojnë që lëshimet e kishës t'i pengojnë ata të pranojnë dashurinë e Zotit.
 
"Ju mund të keni ide të gabuara, ju mund të keni shkatërruar gjithçka, por Zoti ende ju do. Shpesh mendojmë se Zoti është i mirë nëse ne jemi të mirë dhe se ai nuk na ndëshkon nëse jemi të këqij. Por, ai nuk është i tillë. Çka do që të shkojë keq në jetën tonë, çka do që nuk funksionon në kishë, çfarëdo probleme të ketë në jetë, nuk do të jetë më një justifikim. Do të bëhet dytësore, sepse përpara dashurisë së jashtëzakonshme të Jezu Krishtit, të pastër me butësi dhe afërsi, nuk do të kemi më justifikime.",- tha Papa Françesku.
 
Mesazhe paqe nga Kisha “Zemra e shenjtë e Jezusit”
 
Mesha e mesnatës në vend u mbajt në Katedralen Katolike “Zemra e shenjtë e Jezusit” në Shkup me mesazhe për dashuri dhe paqe.
 
“Ai nga ne pret dhe na thërret t’i shërbejmë pikërisht te ata që fjalët e tyre mezi dëgjohen në opinion, tek të vegjlit dhe të varfrit, me një fjalë te ata që kanë nevojë. Atë thirrje e dëgjoi edhe shenjtorja jonë, Shën Nëna Terezë.”,- tha Kiro Stojanov - ipeshkvi i Shkupit dhe dioqezës Strumicë-Shkup.
 
Krishtlindja në Shqipëri nën hijen e tërmetit, Fredo: Po abuzoni me nevojtarët, ruajuni Zotit!
 
Për një jetë më të mirë u lutën edhe besimtarët në Shqipëri. Mesazhi kryesor i arkipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ishte për të prekurit nga tërmeti, duke mos fshehur trishtimin për abuzuesit.
 
“Jam ndjerë shumë i zhgënjyer kur kam dëgjuar se ka disa që po abuzojnë nga kjo fatkeqësi, njerëz që kanë rritur qiratë për njerëz që në këtë fatkeqësi kërkojnë një vendstrehim. Po rrisin çmimet e materialeve që nevojiten për ndërtimin e shtëpive. Ky është një mëkat i madh, të përfitojmë nga një tragjedi për t’u pasuruar.”,- theksoi arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, George Frendo.
 
Krishtlindja në Kosovë, Gjergji: Nuk kemi institucione, se nuk merren vesh
 
Në meshën e Krishtlindjes në Kosovë, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, përcolli mesazhe me tone të forta për politikën. 
 
“Nuk do të kishim konflikte e mosmarrëveshje me njëri - tjetrin e as mes atyre që bartin përgjegjësi publike ose pushtete politike. Po ashtu nuk do të shihnim se si rrezikohet fati i popullit dhe si frenohet vullneti i qytetarëve duke e zvarritur dialogun. Por, tashmë do t’i kishim institucionet e shtetit, e do t’i shihnim duke dialoguar e duke bashkëpunuar dhe duke bashkëndarë përgjegjësitë për një jetë më të mirë të njerëzve dhe një të ardhme më të mirë të vendit.”,- tha Dodë Gjergji - Ipeshkvi i Kosovës.
 
Betlehem: Meshë në vendin e lindjes së Jezu Krishtit
 
Të krishterët nga e gjithë bota dhe Lindja e Mesme u mblodhën edhe në qytetin palestinez të Betlehemit, në bregun perëndimor, për të festuar meshën e mesnatës. Ceremonia u mbajt në kishën e lindjes së Krishtit në Betlehem, e ndërtuar në vendin ku të krishterët besojnë se ka lindur Jezu Krishti dhe që daton nga shekulli i katërt. Krishtlindjet sot i festojnë edhe Kisha ortodokse e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë të cilët e kanë pranuar kalendarin Gjeorgjian. Pjesa tjetër e botës ortodokse, e cila përllogarit kohën me kalendarin Julian, midis të cilëve edhe Maqedonia, Rusia, Serbia dhe Dioqeza e Jerusalemit, Krishtlindjet i festojnë më 7 janar.
 
BELINDA KOKA ADEMI