Maqedoni

Ademi: Qeveria, hap vizionar me përkthimin e librave

26.09.2014 16:40

Me rastin e “Ditës botërore të gjuhëve”, delegacioni i BE-së dhe Shoqata e Përkthyesve “MATA” kanë ndarë çmimet e para për konkursin “Përkthyesi i ri më i mirë Vavilon”...

Fitues ishin: Gjorgjica Ilijeva dhe Marija Spirkovska për përkthim nga gjuha angleze në atë maqedonase të një pjese të veprës “Pastruesi” nga Teri Praçet dhe për Ajnur Kaso, për përkthim nga gjuha angleze në gjuhën turke të një pjese të librit “Longbourn”.
 
Me certifikata janë shpërblyer edhe fituesit e vendit të dytë dhe të tretë. 
 
I pranishëm në ceremoni, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, theksoi se shpreson që ky shpërblim për përkthyes të ri më të mirë do të bëhet tradicional dhe se prej vitit në vit do të ketë më shumë garues, të cilët do të përkthejnë novela, tregime dhe vepra tjera prozaike në të gjitha 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. 
 
“Të mësuarit e gjuhës së huaj është e detyrueshme në arsimimin fillor dhe të mesëm. Por, ajo që posaçërisht dëshiroj të theksoj është se edhe Ministria për Arsim dhe Shkencë edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë bënë hap vizionar në fushën e arsimimit. Me vendosjen e konceptit të shkollës fillore nëntëvjeçare në vitin 2007, lënda e gjuhës angleze u bë e obligueshme për nxënësit e klasës së parë. Në klasën e gjashtë, fëmijët fillojnë të mësojnë edhe një gjuhë të huaj, gjuhën gjermane ose franceze”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.
 
Fituesve çmimet iu shpërndanë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, shefi i sektorit për Bashkëpunim në Info-qendrën e BE-së, Martin Kllauke dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Borçe Nikollovski. 
 
Profesoresha, Ognena Nikullsi, nga “MATA”, njoftoi se në konkurs kishte 35 paraqitje, nga të cilat 4 janë eliminuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve të konkursit.
 
Ajo shtoi se përkthyesit më të mirë për secilën gjuhë do të marrin shpërblim në të holla prej 500 euro, anëtarësim vjetor në Shoqatën e Përkthyesve “MATA” dhe publikim të përkthimit në revistën “Jeta kulturore”.
 
MEFAIL ISMAILI