Maqedoni
Krishtlindja në Shkup, katolikët shqiptarë hapën dyert për miqtë
25.12.2019 17:49
Festat fetare gjithmonë kanë bashkuar shqiptarët....

Festat fetare gjithmonë kanë bashkuar shqiptarët. Familja Sereçi në Shkup hapi derën për të pritur miq për Krishtlindje. E miq kishte shumë dhe jo vetëm katolikë.
“Është një nga festat më të mëdha në katolicizëm dhe kur festojmë ardhjen e shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit... Presim mysafirë që vijnë për të na uruar festat dhe të shihemi në këto ditë të vështira të cilat duhet sa më shpejtë t’i tejkalojmë dhe të jetojmë një jetë të lumtur.”,- tha kryefamiljari, besimtar katolik, Anton Sereçi.
Familja Sereçi si tradicionalisht mori pjesë edhe në meshën e mesnatës në Katedralen Katolike në Shkup. Edhe sivjet atje nuk u tha asnjë fjalë në shqip e kjo është e dhimbshme për katolikët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
“Mua më vjen keq se edhe në këtë ditë të flasim për gjëra që absolutisht askund në botë nuk diskutohen por falë Zotit shpresat akoma nuk i kemi humbur.”,- tha besimtari katolik, Anton Sereçi.
Përfaqësues të ITKShShM-së, që shkuan për t’i uruar Krishtlindjen familjes Sereqi, premtuan se me krijimin e institucionit të ri, do të ruajnë vlerat dhe krenarinë e katolikëve në Shkup.
“Jam i bindur se ky institucion që po krijojmë rikthen besimin, krenarinë në Shkup, sepse Shkupi është një shembull për shqiptarinë dhe për bashkëjetesën e komuniteteve fetare dhe etnike.”,- u shpreh drejtori i ITKShShM-së, Skender Asani.
E siç është zakon, kryefamiljari na uli në tavolinë për të na shërbyer me ushqimet tradicionale të festës. Uroi mbarë komunitetin katolik dhe ortodoksët shqiptarë për festën, duke dëshiruar më shumë solidaritet e reflektim ndaj atyre që kanë nevojë.
ZEKIRJA MEXHITI
