Deklarimi i rrejshëm i etnisë, Osmani: Kërkojmë rrugë ligjore për pengimin e dukurisë

25.12.2019 18:00

Në konkurset e institucioneve të pushtetit qendror dhe lokal....

Në konkurset e institucioneve të pushtetit qendror dhe lokal, në disa raste janë evidentuar punësime të maqedonasve, apo qytetarëve të bashkësive tjera etnike, të cilët janë deklaruar si shqiptarë, pasi konkursi për punësim është shpallur për punësimin e shqiptarëve.

Këtë e konfirmon edhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, i cili thotë se ka edhe shqiptarë që janë paraqitur si turq, apo edhe turq që deklarohen si shqiptarë, për të zënë një vend pune. Kjo, sipas zëvendëskryeministrit Osmani, ndodh pasi me ligj nuk është paraparë asnjë dokument që vërteton përkatësinë etnike. 

“Ne kemi kërkuar të gjejmë një databazë ku njerëzit do të identifikohen me përkatësinë e tyre etnike. I vetmi dokument është libri amë në Byronë për Evidence Amë. Atje prindërit kur lind fëmija e regjistrojnë dhe shkruajnë përkatësinë e fëmijës, por e shkruajnë me shkrim në librin amë dhe ky është i vetmi burim zyrtar i përkatësisë etnike të një personi.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Për tejkalimin e këtij problemi, Osmani thotë se po shqyrtohen dy mundësi, të bëhen ndryshime ligjore që Byroja për Evidencë Amë të mund të japë një dokument që verifikon përkatësinë etnike. Po analizohet edhe nëse paraqet vepër penale deklarimi i rrejshëm i etnisë te institucionet për të fituar një të drejtë.

Por, edhe pas konsultimeve me avokatë dhe prokurorë, Osmani thotë se ekzistojnë dilema nëse mund të penalizohet një qytetar për deklarimin e një identiteti të caktuar etnik. (Gyltene Sinani, TVM2)