Maqedoni
Bllokada në Kuvend, Osmani: Të mos reflektojë në shtyrjen e proceseve
25.12.2019 18:22
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani...

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, pret koordinim për të respektuar marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, si dhe të realizojnë agjendën parlamentare deri në fund. Osmani shpreson se partitë politike do t'i tejkalojnë pozicionet e tyre dhe të zhbllokojnë miratimin e ligjeve.
“Ka një koordinim mes partive politike për të gjetur një mënyrë për ta shterë agjendën parlamentare deri në fund të vitit, që kjo mos të reflektojë në shtyrje të proceseve të tjera të koordinuara me konsensus. Jam optimist të arrihet marrëveshje e tillë, kështu që nuk do të ketë nevojë të ndryshohet marrëveshja e arritur me konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve më 12 prill.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Osmani: S’ndryshon Ligji, rriten kapacitetet implementuese
Ndërkohë, sa i përket rolit të grupit të punës të formuar nga Qeveria për Ligjin e Gjuhëve pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, Osmani ripërsëriti se ai ka për detyrë të krijojë plane veprimi për të shtuar kapacitetet për implementimin e Ligjit të Gjuhëve, por nuk do të ndryshojë ligjin.
“Kemi një normë transitore në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që thotë se brenda një viti të gjitha ligjet tjera duhet të harmonizohen me ligjin e gjuhëve. Kjo mund të interpretohet se deri në prill kur bëhet një vit nga hyrja e Ligjit në fuqi, ka mundësi të ngrihen kapacitetet dhe pastaj të fillojë inspektorati me punën e vet.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Këto komente Osmani i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me ambasadorin kinez. Kina dhuron 4 milion euro donacion për ambulancat shëndetësore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
