Maqedoni
Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor u hodhën në debat
25.12.2019 18:29
Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive filloi debat publik për Propozim-ligjin...

Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive filloi debat publik për Propozim-ligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor. Me projekt-ligjet parashihet ndryshimi i modelit zgjedhor, përkatësisht shndërrimin e republikës nga 6 njësi zgjedhore në një njësi të vetme, si dhe lista të hapura dhe përfaqësim të barabartë gjinor në zgjedhjet lokale dhe në ato parlamentare. Ftesës për debat nuk iu përgjigjën deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ato të BDI-së, të cilët janë deklaruar kundër këtyre ndryshimeve dhe kanë bllokuar procesin me parashtrimin e mijëra amendamenteve.
“Më 18 dhjetor ishte caktuar Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si komision amë për këto çështje, por nuk mund të fillojë të zhvillohet për shkak të mijëra amendamenteve të dorëzuara nga VMRO-DPMNE dhe BDI.”,- deklaroi Aleksandar Kiracoski nga LSDM.
Grupi i deputetëve, propozues të këtyre dy projekt-ligjeve, konsiderojnë se me këto ndryshime valorizohet çdo votë duke shndërruar në manadat vullnetin e qytetarëve, ndërkaq reduktohet klientelizmi partiak dhe përfitimi i partive të mëdha në dëm të partive të vogla dhe kandidatëve të pavarur. Kërkojnë zhbllokimin e procesit.
“Nëse tërhiqen, nuk do të mund të jenë zot të situatës politike në Maqedoni. Çdo parti do të ketë zgjidhjen e vetë se si do të garojë, vetë, në koalicion dhe në cilin koalicion dhe e treta, qytetarët do të kenë zgjedhje që të përcaktohen dhe të tregojnë se si dhe për kë duan të votojnë.”,- theksoi Liljana Poposka nga RDM.
Në ndërkohë profesori universitar, Svetomir Shkariq, konsideron se nuk mund të pengohet vullneti i 65 deputetëve, me obstruksione dhe procedura parlamentare.
“Me 65 deputetë si përkrahje, ligji veç më është miratuar. 65 deputetë, kush mund t’ju ndalojë?! Mbase nuk besoni se mundet ndonjë burokrat ose ndonjë procedurë e paraparë me rregullore?! Fazat, leximet e parapara dhe diskutimet në komisione! Vendimtare është përkrahja prej 65 deputetë. Ligji i tillë do të jetë edhe legjitim edhe legal.”,- u shpreh profesori universitar, Svetomir Shkariç.
Sipas profesorit Shkariq, me ndryshimet e reja duhet të përjashtohet edhe modeli i “Dontit”. Ai rekomandon modelin e “Harit” me lista të hapura dhe rrëshqitëse.
SHPËTIM NUREDINI
