Maqedoni
Ademi: Kërkesat e SASHK-ut përmes dialogut social
26.09.2014 17:01
Deklarata e djeshme e drejtoreshës së Inspektoratit Shtetëror Arsimor, Nadica Nikollovska, se do të ketë dënime deri në 2000 euro për mosvijimin e mësimit, sipas ministrit, Abdylaqim Ademi...

Deklarata e djeshme e drejtoreshës së Inspektoratit Shtetëror Arsimor, Nadica Nikollovska, se do të ketë dënime deri në 2000 euro për mosvijimin e mësimit, sipas ministrit, Abdylaqim Ademi, nuk është frikësim i prindërve dhe mësimdhënësve, por informim se vijimi i shkollës fillore dhe të mesme është i obligueshëm.
Sipas tij, përpara se të zbatohet dënimi ka edhe masa tjera të cilat janë këshillëdhënëse në radhë të parë për prindërit dhe nxënësit, sepse viti shkollor numëron 180 ditë vijim të procesit mësimor dhe nëse ka më pak duhet të merren masa adekuate.
“Sa i takon çështjes së dënimeve për ata që nuk do të marrin pjesë në procesin edukativo-arsimor, këtu nuk bëhet fjalë për qëllimin kryesor të MASH-it dhe Inspektoratit të Arsimit për t’i dënuar prindërit, por ka edhe masa të tjera të cilat janë këshillëdhënëse në radhë të parë për nxënësit që mungojnë në procesin arsimor, sepse në bazë të ligjit, brenda një viti shkollor procesi arsimor numëron 180 ditë pune dhe nëse ka më pak duhet të merren masa adekuate në bazë të ligjit”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ndërkohë, kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, thotë se organizimi i grevës është vendim i Këshillit të SASHK-ut dhe është decid se e njëjta do të mbahet të hënën.
“87 % nga anëtarësia janë deklaruar se përkrahin organizimin e grevës dhe kjo tregon se ky vendim nuk është vendimi im personal, por i kryesisë së SASHK-ut”- tha kryetari i SASHK-ut, Jakim Ndelkov.
Ndërkaq, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Administratës, Industrisë dhe Transportit dhe Lidhjeve thonë se kryetari Nedelkov duhet ta ndryshojë mënyrën e veprimit dhe se ata nuk do të përkrahin grevën.
“I bëjmë thirrje udhëheqësisë së SASHK-ut që të ndërpresë këtë cirk që e ka krijuar, përderisa nuk janë shkaktuar pasoja më të mëdha në procesin edukativo-arsimor. Kryetari Nedelkov duhet ta ndryshojë taktikën e veprimit dhe presionet që u bën anëtarëve që nuk e përmbajnë grevën”- u shpreh përfaqësuesi i Konfederatës për Sindikata të Lira, Lube Stojkovski.
Me vendim të MASH-it, mësimdhënësit, të cilët do të dalin në grevë, do të zëvendësohen përkohësisht nga kolegët e tyre, por kontrata e punës nuk do tu ndërpritet.
FLUTURA LATIFI
