Maqedoni

Debati për buxhetin pa praninë e opozitës

26.09.2014 17:16

Debati për buxhetin për vitin 2015 po rrjedh pa debat. Përveç mungesës së opozitës në tërësi...

Debati për buxhetin për vitin 2015 po rrjedh pa debat. Përveç mungesës së opozitës në tërësi, as deputetët e shumicës nuk debatojnë me përfaqësuesin e qeverisë, por thjesht lexojnë pjesë nga projektbuxheti dhe arsyetojnë planifikimin e arkës shtetërore, pa nguruar kohë pas kohe të lëvdojnë ekzekutivin dhe kryeministrin, Gruevski. 
 
Në ditën e dytë të debatit, në Komisionin për Financa dhe Buxhet më aktiv ishin deputetët e VMRO-DPMNE-së, nga njësia zgjedhore numër gjashtë. Deputetja, Svellna Karapetrova, numëroi disa nga projektet në Maqedoninë Perëndimore, për të cilat janë ndarë fonde buxhetore.      
 
“Me këtë buxhet, qeveria ka ndarë fonde prej 535 milionë denarë për ndërtimin e zonave industriale teknologjike zhvillimore ku do të vendosen investitorë të huaj, të cilët janë në proces të dakordimit të kapaciteteve të reja industriale dhe hapjen e vendeve të reja të punës”- deklaroi Svetllana Karapetrova nga VMRO-DPMNE.
 
Qeveria e RM-së, sivjet fillon me investime në Qendrën Turistike “Kodra e Diellit”. Për këtë qëllim janë ndarë 30 milionë euro, thekson Karapetrova. Një tjetër projekt për të cilin janë ndarë fonde është rruga Kërçovë – Ohër, në gjatësi prej 57 km, në vlerë prej 411 milionë euro.
 
Me para buxhetore do të zgjidhet edhe problemi me ujin e pijshëm në Gostivar. Deputeti i zonës, Sasho Aqimoski, është optimist se gjatë vitit 2015 do të përfundojë punimet në stacionin e filtrimit.
 
“Sivjet ndahen 31 milionë denarë për stacionin e filtrimit për furnizimin me ujë të Komunës Gostivar. Ky është projekt rrjedhës, të cilin e ka filluar kjo qeveri në vitin 2011 dhe zgjat deri në vitin 2015”-tha Sasho Aqimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Gjatë vitit 2015, pritet të fillojë edhe rekonstruimi i rrugës rajonale “Ura e Boshkut”–Dibër, projekt i financuar nga Banka Botërore, në gjatësi prej tetë kilometra dhe vlerë prej 3.5 milionë euro. 
 
Gjithashtu janë paraparë mjete në vlerë prej 12 milionë denarë, për shërbime këshilluese për Korporatën Financiare Ndërkombëtare lidhur me dhënien me koncesion të një pjese të korridorit tetë, përkatësisht rrugën Gostivar-Kërçovë.
 
SHPËTIM NUREDINI