Maqedoni

Rasti "Titanik", mandati i porotëve pengesë për mbrojtjen

26.12.2019 15:35

Mandati i gjykatësve porotë vazhdon të jetë problematikë e vazhdimit të seancave gjyqësore.....

Meqenëse Këshilli Gjyqësor akoma nuk ka vendosur për fatin e gjykatësve porotë që iu ka kaluar mandati, pala mbrojtëse në rastin "Titanik" kërkoi që kjo çështje të zgjidhet, pasi që gjykatësja porotë, Liljan Ivanovska Koçkovska, është me mandat të mbaruar dhe nuk duhet të marrë pjesë në gjykim. Gjykatësi, Osman Shabani, njoftoi se nga Këshilli Gjyqësor është informuar se Këshilli akoma nuk ka miratuar vendim lidhur me këtë çështje, andaj nuk ka pengesa për të vazhduar gjykimi.
 
"Unë nuk mund t’iu them porozëve ngrihuni dhe shkoni, nuk kam mundësi të tillë ligjore. Kryetari i gjykatës e ka radhën për veprim, nuk jam unë. Bisedova me anëtarë të Këshillit Gjyqësor. I pyeta nëse duhet të zbatohet Ligji për Gjykata, ndërsa ata më thanë: Ju deri sa nuk keni vendim, do të gjykoni",- tha Shabani. 
 
Stojanov: Në VMRO kam donuar të holla të gatshme
 
Dëshmitari, Aco Stojanov, në gjykimin e sotëm tha se disa herë ka donuar të holla të gatshme në VMRO-DPMNE arkatares së partisë. Dëshmitari tha se ka mbushur fletëpagesa në shumë prej 40 dhe 60 mijë denarë, por nuk e ka kryer pagesën e tyre por i ka lënë tek arkatarja.
 
"Kam donuar disa herë edhe atë 4, 5, dhe 8 mijë denarë. Në shumat e sakta nuk mund të kujtohem. I kam donuar personalisht në dorë si personat tjerë fizikë dhe juridikë. Në disa raste nga arkatarja kam pranuar dokument se janë pranuar të holla, ndonjëherë jo, nuk më kujtohet. Në nivel vjetor nuk mund të kujtohem se sa kam donuar, sepse bëhej fjalë për më shumë vite. Është e mundur të kem mbushur fletëpagesa 1, 2 apo 3 herë, nuk më kujtohet saktësisht",- u shpreh dëshmitari, Aco Stojanov.
 
Përveç ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, që është në arrati, në rastin “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Ilija Dimovski dhe 15 persona të tjerë. Ata ngarkohen për shoqërim kriminel, shkeljen e të drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, mito gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI