Maqedoni

Talat Xhaferi: Zgjedhje po, nëse ka qeveri teknike më 3 janar

26.12.2019 16:06

Nëse partitë politike respektojnë marrëveshjen midis tyre që zgjedhjet të mbahen më 12 prill..

Nëse partitë politike respektojnë marrëveshjen midis tyre që zgjedhjet të mbahen më 12 prill, më 3 janar kuvendi medoemos duhet ta zgjedh Qeverinë teknike me qëllim që të zbatohen procedurat ligjore, theksoi kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi. Kuvendi, sipas tij, mund të zbatojë kornizën ligjore dhe asgjë më shumë. 
 
“Mosrespektimi i cilësdo pjesë të ligjeve që tangojnë qeverinë teknike dhe pasojat që prodhon qeveria teknike nënkupton se nuk mund të zbatohen pasojat ose obligimet që i ka. Hipotetikisht nëse më 3 janar nuk ka qeveri teknike, nënkuptohet me automatizëm se nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme konform Ligjit për Qeverinë, gjegjësisht konform marrëveshjes së Përzhinës për faktin që para organeve përkatëse poqëse organizohen zgjedhjet pa këtë element mundet të jenë lëndë e trajtimit të gjyqit kushtetues dhe gjithsesi ajo lëndë do të kishte rënë para gjyqit kushtetues.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi po ashtu shtoi se nëse zgjidhet Qeveria teknike, nuk ka më mundësi që të shtyhen zgjedhjet e parapara për më 12 prill, sepse qeveria, sipas modelit të Përzhinës, është për të zbatuar zgjedhjet dhe jo me mandat deri në formimin e Qeverisë së re. 
 
“Nuk mund të shtyhen zgjedhjet nëse zgjidhet qeveria teknike, sepse qeveria teknike apo kalimtare mu për këtë qëllim ka organizimin e zgjedhjeve dhe nuk mund elementet t’i shihni ndaras për atë çka është pjesë e ligjeve dhe që burojnë nga marrëveshja e Përzhinës, sepse nuk mund të ketë shpërbërje të parlamentit pa mos pasur qeveri teknike 100 ditë përpara.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Lidhur me punën e Kuvendit, Xhaferi njoftoi se shumica parlamentare dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare janë dakorduar që të miratohen të gjitha propozim-ligjet të mbledhjes së 123, e të cilat lidhen me zbatimin e tyre nga 1 janari. 
 
NAIM RAMADANI