Maqedoni

Debllokimi i ligjeve në Kuvend, LSDM: Opozita të votojë ligjet, janë për qytetarët

26.12.2019 16:46

Mazhoranca dhe opozita maqedonase u dakorduan për mbështetjen e rreth 40 ligjeve...

Mazhoranca dhe opozita maqedonase u dakorduan për mbështetjen e rreth 40 ligjeve që përmirësojnë jetën e qytetarëve e që hyjnë në fuqi nga 1 janari, por në “vend numëro” mbeten ligjet kryesore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ligji për mbrojtje, ai për Prokurorinë Publike dhe Ligji për Lëndë Narkotike. LSDM shpreson se në seancën kuvendore të caktuar për të premten, opozita do të votojë ligjet në fjalë, për ndryshe nuk përjashtohet mundësia që mazhoranca të marrë vendim për shtyrjen e formimit të qeverisë teknike, thonë nga LSDM.
 
“Kryeministri përmendi shtyrjen e zgjedhjeve si mundësi, por shpresoj që opozita do të jetë mjaftueshëm e përgjegjshme e të votojmë të gjitha ligjet e rëndësishme për shtetin, ato që përmirësojnë standardin e qytetarëve.... Të premten në mbrëmje është periudha kur duhet të shohim sjelljen e opozitës në lidhje me të gjitha ligjet të lidhura me afate kohore që do të duhet të funksionojnë nga 1 janari e që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve dhe punonjësit e ndërmarrjeve të falimentuara.”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec.
 
VMRO-DPMNE: Ligji për Drogën nuk kalon, zgjedhjet nuk shtyhen
 
Nga “selia e bardhë” dolën me qëndrim të prerë. VMRO-DPMNE do të mbështesë ligjet me interes të qytetarëve, por jo edhe Ligjin për Lëndët Narkotike dhe Ligjin për Mbrojtje. Sipas opozitës, zgjedhjet e 12 prillit dhe formimi i qeverisë teknike janë punë e kryer dhe askush nuk mund të kërkojë shtyrjen e tyre. 
 
“Ajo që Zaev thotë se ka qenë si “kërcenim” nga ana jonë për ligjet në fjalë, ne e shohim si shantazh dhe manipulim të madh. Ai është i vetëdijshëm se edhe pak ditë është kryeministër dhe se asnjëherë më nuk do të kthehet në atë vend, dhe duke humbur rrugën po tenton të bëjë çmos për të mbetur edhe pak në vendin e kryeministrit, mirëpo ne nga VMRO-DPMNE i themi se kjo nuk do të ndodhë.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Ifor Janushev.
 
Qartësimi i situatës nëse më 3 janar do të formohet ose jo qeveria teknike, që duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit, do të kristalizohet në takimin e së shtunës mes Zaevit dhe Mickovskit. 
 
REXHEP QAMILI