Maqedoni
Zaev: Komisioni Europian, garant i nismës rajonale
26.12.2019 17:53
Nisma për përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal është mbindërtim i Procesit të Berlinit dhe CEFTA-s...

Nisma për përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal është mbindërtim i Procesit të Berlinit dhe CEFTA-s dhe është komplementar me procesin integrues.
Kryeministri, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit, Surija Rashidi, tha se ky proces ka dhe përkrahjen dhe mbikëqyrjen e BE-së dhe SHBA-ve dhe parasheh përfshirjen e të gjashtë shteteve të rajonit. Ai ftoi palën kosovare dhe atë boshnjake që t’i bashkëngjiten nismës.
“Garant është Komisioni Evropian, aty brenda. Të gjitha institucionet evropiane, së bashku. SHBA-të gjithashtu japin mbështetje të drejtpërdrejtë me përfaqësuesin për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë konfirmojnë këtë nismë. E gjithë kjo duhet të nxisë pjesëmarrjen e të gjashtë vendeve. Presim që Kosova të formojë qeverinë dhe i rekomandoj kryeministrit të ri që të përfshihet. Të ulemi bashkë në tryezë dhe kur të ulemi bashkë do të gjinden zgjidhje të caktuara për probleme të caktuara.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Mirëpo Zaev nuk sqaroi nëse në këtë nismë ka edhe përkrahjen e partive shqiptare në koalicion. Numëroi avantazhet e nismës që, sipas tij, parasheh lehtësime të mëdha në pikat kufitare dhe dogana, lëvizje të lirë të krahut të punës dhe për turistët e huaj.
“Presim që deri në fillim të shkurtit të mund të nënshkruajmë marrëveshjen për “one stop shop”, ose kalimin e kufirit me një ndalim në Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Dy vendkalimet më të frekuentuara me Shqipërinë dhe Serbinë janë Qafë Thana dhe Tabanovc, ku ndodh mbi 98% e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas kryeministrit Zaev, edhe nënshkrimi i Marrëveshjes dypalëshe për hapjen e pikës kufitare Llojan-Miratoc është benefit i kësaj nisme. Në këtë frymë, Zaev paralajmëroi edhe fillimin e punimeve për ndërtimin e një pjese të rrugës drejt pikës kufitare me Republikën e Kosovës, në Bllacë. Tenderin për ndërtimin e 2.5 km rrugë e ka fituar kompania “Granit”, sqaroi Zaev.
SHPËTIM NUREDINI
