Kulturë
Seminar, kultura shqiptare pjesë e kulturës evropiane
26.09.2014 17:35
Gatë dy ditëve, në qytetin rrëzë Sharri në Tetovë është mbajtur Seminari i VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë, që organizohet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës...

Në këtë seminar, me kumtesat e tyre kanë marrë pjesë mbi 100 studiues të trevave të ndryshme shqiptare. Studiuesit janë ndarë mjaftë të kënaqur nga sesionet shkencore, të cilat janë zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve në seminar, ku temë boshte ka qenë: “Kultura shqiptare, pjesë e pashkëputshme e kulturës evropiane”.
“Ne, si punonjës që vijmë nga një institucion që merret kryekëput me kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve, siç është Instituti Albanologjik i Prishtinës, sivjet këtu përfaqësohemi me 12 kumtues në të gjitha sesionet që prezantohen në kuadër të seminarit të sivjetmë të Universitetit të Tetovës, duke paraqitur edhe ne kontributet tona dhe duke dhënë ndihmesën që ky aktivitet të jetë jo vetëm masiv, por të jetë edhe në planin cilësor sa më i avancuar. Them se nga viti i parë, nga viti 2007 kur ka filluar, ka një ecje të lakmueshme, nga viti në vit sjell rezultate gjithnjë më serioze dhe më të plota dhe tash mund të themi se vërtet Tetova është një nga qendrat që afron dhe tubon pjesën më të madhe të studiuesve të kulturës dhe të kaluarës shqiptare”- deklaroi drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi.
“Seminari Albanologjik i Tetovës, mendoj se është në të njëjtin nivel me seminaret në të cilët ne kemi qenë jashtë shtetit, për shembull unë kam qenë dhe në Kozencë dhe në Peskarë dhe në shumë konferenca jashtë shtetit dhe nuk më ka bërë të ndihem as më pak të përgatitur as më shumë seminari atje nga ajo që ndihem sot këtu, sepse unë jam para profesorëve të mi, ku nuk mendoj se jam në nivelin e tyre, por gjithsesi, mund të ndihem si ata dhe me ta mund të diskutojmë për probleme të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe”- tha Edlira Tropolini–Abdurahmani nga Shqipëria.
Ish-kryeministri i Kosovës, pjesëmarrës në këtë seminar në sesionin e letërsisë, ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që në të ardhmen të investojë edhe më shumë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sepse kontributet shkencore dhe kulturore të USHT-së ia rrisin edhe më shumë imazhin vendit.
“Do të thotë përveç një bashkëpunimi të këtyre emrave, përveç një ndërthurje të informatave që vijnë prej hulumtimeve, prej universiteteve të ndryshme, që është edhe esenca e këtij seminari, këtu ka edhe një afirmim të vet universitetit të shqiptarëve dhe të shkencës së tyre në USHT dhe të vet shtetit të Maqedonisë, prandaj Qeveria e Maqedonisë do të duhet të investonte më tepër te USHT, më shumë se tash të investojë te formati i këtyre seminareve edhe më tepër, sepse në fund të fundit ky është një kontribut shkencor dhe kulturor, që e bën një universitet shtetëror pjesë e një shteti dhe që i mbledh rreth vetes universitetet dhe shtetet e tjera”- tha ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi.
Njëherit, Seminari i VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë sot i ka përfunduar punimet, të cilat janë zhvilluar gjatë dy ditëve në hotelin “Scardus” në “Kodër të Diellit”.
MIFTAR EMINI
