Europa “ngrin” pas përmbytjeve, ulen ndjeshëm temperaturat
Pas përmbytjeve që shkaktuan vdekjen e 9 personave, Europa po përballet me një ulje të ndjeshme të temperaturave...

Situata më kritike paraqitet në jug të Mbretërisë së Bashkuar, Francën Jugore, Italinë Veriore dhe Spanjë, shtete të cilat po vijojnë të jenë nën ndikimin e pasojave që lanë pas 2 stuhi të njëpasnjëshme me reshje të dendura shiu e bore.
Britania ndodhet ende nën alarmin për përmbytje. Autoritetet kanë marrë më shumë se 100 telefonata për ndihmë nga zonat nen ujë.
Meteorologët kanë paralajmëruar se pas shirave, erërat e ftohta do të sjellin ulje të mëtejshme të temperaturave deri në -8 gradë dhe acar.
Reshjet e dëborës ndërkohë kanë zbardhur majat më të larta kryesisht në rajonet veri-lindore të Italisë, si dhe në Lazio dhe Toskana.
Më në jug, reshjet e shiut kanë kthyer sërish rrezikun për rritjen e nivelit të ujit në Venecia. Edhe Gjermania është përballur me një rënie të ndjeshme temperaturash.
Në Zvicër autoritetet u kanë bërë thirrje turistëve të jenë vigjilentë për shkak të stuhive të dëborës që mund të bllokojnë rrugët në pjesën lindore të vendit.
