Kulturë
Gjuha, vlerë drejt afrimit e jo ndarjes midis popujve
26.09.2014 17:38
Gjuha duhet të shërbejë si vlerë e përbashkët drejt afrimit midis popujve dhe jo ndarjeve, ishte porosia që e dërguan sot përfaqësues të komuniteteve të ndryshme në Maqedoni...

“Gjuha ime, gjuhë e bukur, gjuhë e vjetër, gjuhë e jonë”- u shpreh një aktorë.
“T’i jepet mundësi paqes”- tha një përfaqësuese e KB-së.
“Do të doja që më shumë të kuptohemi mes vete”- theksoi një sportiste.
“Gjuha e këngës mund të jetë më e mirë se një gjuhë kombi”- tha diplomati gjerman.
“Paqe në shtëpi, paqe në botë”- potencoi një diplomat turk.
“Gjuha është më shumë se një organ, është i gjithë trupi i një njeriu, i një populli, është identiteti i saj”- u shpreh këngëtari, Agim Poshka.
“Nëse je i ndryshëm, vëlla, t’i nuk më kërcënon mua, por me pasuron”- tha një diplomat frëng.
“Iniciativë e mirë për t’i parë të gjithë popujt dhe gjuhët së bashku, për të parë se ç’farë pasurie kemi, është një gjë më mirë se sa diversiteti”- theksoi një diplomat italian.
Këto ishin mesazhet që pikërisht në “Ditën evropiane të gjuhëve” i përcollën sot përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme në Maqedoni, diplomatë, aktorë, sportistë dhe figura të tjera publike. Ata u shprehën se gjuha duhet të shërbejë si vlerë e përbashkët drejt afrimit midis popujve dhe jo ndarjeve.
Se dallimi në gjuhë duhet të paraqesë përparësi midis popujve, vlerëson edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, nën patronazhin e të cilit u organizua ky eveniment.
“Bukuria e gjuhëve është përparësi e diversitetit. Pra, në dallimet t’i shohim vlerat dhe në këto ndryshime t’i shohim mundësitë e bashkimit, ajo që është e përbashkët e të gjithëve. Mendoj se këtë mesazh mund ta bart Maqedonia për BE-në dhe që është vlerë që promovon edhe BE, të bashkuar në dallime”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Ai beson se Maqedonia një ditë do të jetë pjesë e familjes evropiane, ndërsa sipas tij, respekti i ndërsjellë dhe dallimet duhet të shërbejnë si standard i rëndësishëm në manifestimin e vlerave midis popujve.
NAIM RAMADANI
