Botë
U rrëzua avioni në Kazakistan, 15 viktima deri tani, kërkohen të mbijetuarit
27.12.2019 09:55
Një avion me rreth 100 persona në bord u rrëzua në Kazakistan, duke i marrë jetën të paktën 15 prej tyre...

Një avion me rreth 100 persona në bord u rrëzua në Kazakistan, duke i marrë jetën të paktën 15 prej tyre, por bilanci i jetëve të humbura është ende provizor. Zyrtarët flasin për 66 persona të dërguar në spital, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën.
Avioni i kompanisë “Bek Air”, ishte nisur nga qyteti më i madh i vendit, Almaty, drejt kryeqendrës Nur-Sultan. Ai ka humbur në lartësi pak pas ngritjes në ajër dhe është përplasur me një strukturë betoni përpara se të godiste edhe një ndërtesë dykatëshe.
Nuk është ende e qartë nëse ka pasur viktima edhe në tokë. Ministria e Brendshme në Kazakistan pohoi vetëm se mes viktimave janë edhe 6 fëmijë. Komiteti shtetëror i aviacionit në Kazakistan njoftoi se do të pezullojë të gjitha fluturimet me këtë lloj aeroplani pas rrëzimit dhe derisa të kryhen hetimet. Të dhënat tregojnë se mjeti i përfshirë në incident, Fokker-100, kishte gati 24 vjet në përdorim. Kompania që ka prodhuar këtë lloj avioni falimentoi në vitin 1996 dhe prodhimi i aeroplanëve të tillë u ndalua një vit më vonë.
