Botë
Greqia, porta europiane për refugjatët
27.12.2019 12:01
Numri i emigrantëve dhe i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrikë që tentojnë të mbërrijnë në Europë...

Numri i emigrantëve dhe i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrikë që tentojnë të mbërrijnë në Europë përmes Detit Mesdhe është ulur në terma vjetorë. Itinerari mbetet i njëjti, me destinacione kryesore Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Qipron.
Greqia është destinacioni kryesor i emigrantëve dhe i refugjatëve që kërkojnë ëndrrën europiane nëpërmjet Detit Mesdhe.
Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore për Emigracionin, këtë vit numri i personave që lundruan për në kufijtë e kontinentit europian arriti 107 mijë.
Greqia numëroi mbi 60 mijë të ardhur në portet e saj apo dyfishin e një viti më parë, nga të cilët 4 mijë mes datave 1 dhe 18 dhjetor.
Në Spanjë dhe Itali kjo shifër u përgjysmua nga viti në vit në përkatësisht në 25 mijë dhe 11 mijë, që tregon se trafikuesit e personave nuk i shohin më këto dy vende si vendmbërritjet e preferuara.
Lundrimi për në Europë mbetet një nga mënyrat më vdekjeprurëse për të prekur kontinentin e vjetër.
Mes janarit dhe dhjetorit të këtij viti mbi 1,200 persona humbën jetën në det, më së shumti në itinerarin e Mesdheut Qendror për në Itali dhe Maltë dhe atë perëndimor me destinacion Spanjën.
Shumica e emigrantëve dhe refugjatëve e kanë prejardhjen nga Afganistani, ndjekur nga sirianët, irakianët dhe palestinezët, ndërsa në shtatë muajt e fundit raportohet edhe rritje e numrit të banorëve nga shteti afrikanolindor i Somalisë./Ora News
