Maqedoni

Nënshkruhet marrëveshja MASh/SAShK, nga 1 janari paga më të larta për 10%

27.12.2019 14:38

Mbi 32 mijë të punësuar në sferën e arsimit dhe shkencës nga 1 janari...

Mbi 32 mijë të punësuar në sferën e arsimit dhe shkencës nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të marrin paga më të larta për 10 për qind. Për këtë edhe zyrtarisht u nënshkrua marrëveshja mes Qeverisë, SAShK-ut dhe MASh-it.        
                                                                                                
“Në buxhetin për vitin 2020 në sektorin e shëndetësi, arsimit, mbrojtjes sociale, ne i kemi investuar 154 miliard denarë. Kjo është rritje për më shumë se 10 miliard denarë në krahasim me rebalancin e buxhetit për vitin 2019, respektivisht buxhetin e kaluar. Si kryeministër që po dorëzon funksionin po e lë amanet që deri në prill, siç u morëm vesh, të bëjmë nivelizimin apo reformën strukturore në arsim.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev. 
 
Sipas ministrit Ademi, me këtë nismë përmirësohet statusi material i të punësuarve në aferën e arsimit dhe në periudhën që vijon do të punohet në përmirësimin e dinjitetit të arsimtarëve.                                                   
“Kumulativisht në arsimin fillor dhe të mesëm kemi një ngritje të pagave për më tepër se 21 për qind dhe po ashtu patëm ngritjen e pagave për 5 për qind në arsimin e lartë dhe nga një janari dhjetë për qind në arsimin e lartë, që është një ngritje mbi 16%. Po ashtu edhe institutet shkencore për 5 për qind, edhe nga tetori për institutet pati ngritje për 25 për qind dhe mendojmë se po japim një kontribut për përmirësimin e statusit të të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit.”,- deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi. 
 
Nga SAShK shprehen të kënaqur nga rritja e pagave, por sipas Sindikatës sfidë e radhës është nënshkrimi i marrëveshjes kolektive. 
 
“Kanë mbetur edhe disa punë të papërfunduara për të cilat jam i bindur se vitin e ardhshëm kalendarik do të duhet të përfundohen. Ato janë kthimi i kompensimit për rrugë për arsimtarët që udhëtojnë mbi 20 km, kthimi i regresit për pushim vjetor, pagesa e punës shtesë e arsimtarëve, puna gjatë natës dhe shumë të tjera.”,- u shpreh kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov. 
 
Ndërsa i pyetur nëse do të tërhiqen tekstet shkollore për lëndët e historisë dhe gjeografisë, ministri i arsimit, Arbër Ademi, bëri të ditur se po punohet që këto dhe lëndëve tjera që tangojnë marrëdhëniet me fqinjët, pas arritjes së produktit final nga grupet punuese, ato të revidohen. Sa i përket tekstit të sociologjisë për vitin e dytë, i cili ka përmbajtje që diskriminon rolin e gruas, ministri doli me përgjigje se në Byronë e Arsimit po vijon procedura për korrigjimin e këtij libri. 
 
FLUTURA LATIFI