Botë

Mali i Zi, tensione në Kuvend, 22 të arrestuar

27.12.2019 16:09

Mëngjesin e sotëm Kuvendi i Malit të Zi e ka miratuar Ligjin për liritë fetare..

Mëngjesin e sotëm Kuvendi i Malit të Zi e ka miratuar Ligjin për liritë fetare, i cili nuk i ka pëlqyer opozitës pro serbe, e cila para votimit ka shkaktuar incidente në sallën e kuvendit. Gjithsej 22 persona, 18 prej të cilëve deputetë të Frontit Demokratik të Malit të Zi janë arrestuar pas incidentit, 19 prej të cilëve janë liruar, ndërsa në paraburgim janë ndalur Andrija Mandiq, Millan Knezheviq dhe Millun Zagoviq. Ky i fundit ngarkohet për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa dy të tjerët për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës.
 
Deri te incidenti ka ardhur menjëherë pasi u refuzuan amendamentet e opozitës, pas çka u hodh gaz lotsjellës dhe filluan përleshjet, duke detyruar të intervenojë sigurimi i Kuvendit. Kryeministri, Dushko Markoviq, e ka dënuar sjelljen e tillë të deputetëve të opozitës duke theksuar se ligji nuk ka kurrfarë agjende të fshehur.
 
“Patjetër të shpreh keqardhje për sjelljen e papërgjegjshme ndaj kuvendit dhe temës që i nxiti deputetët e Frontit Demokratik në sjellje të tillë. Besoj se Malit të Zi të shekullit 21 nuk i duhet diçka e tillë. Na duhet dialog edhe kur dallohemi, sepse ashtu dallimet do të ishin më të vogla. Ligji nuk ka kurrfarë agjende të fshehur dhe është ligj që i duhet çdo shoqërie të civilizuar.”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
 
Miratimi i ligjit u kundërshtua edhe nga kisha serbe në Mal të Zi përfshirë peshkopin Amfillohije, i cili ishte në mesin e protestuesve në Podgoricë për të kundërshtuar ligjin, që është kundërshtuar edhe nga kisha ortodokse serbe. 
 
GYLTENE SINANI