Maqedoni
Kuvend, miratohen ligjet e dakorduara
27.12.2019 16:48
Marrëveshja midis shumicës parlamentare dhe VMRO-DPMNE-së opozitare për të kaluar...

Marrëveshja midis shumicës parlamentare dhe VMRO-DPMNE-së opozitare për të kaluar ligjet që lidhen me afate kohore e që e paralajmëroi dje kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, ka nisur të zbatohet me fillimin e seancës 126.
Në kuadër të kësaj seance deputetët kanë miratuar disa ligje që janë kryesisht nga sfera e financave, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Koordinatori i VMRO-DPMNE-së theksoi se do të mbështesin ligjet, zbatimi i të cilave duhet të nisë nga 1 janari, ndërsa shtoi se me këtë po i marrin argumentin kryesor kryeministrit, Zoran Zaev, për t’i shmangur zgjedhjet.
“Po e shohim sot se ligjet që janë të lidhura me afat deri më 31 dhjetor e që janë në interes të shtetit dhe në mënyrë që të mos kemi zbrazëtirë në ligjet që duhet të vlejnë që nga 1 janari në seancë plenare po debatohen. Kështu që bllokim nga deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk ka. Argumenti i vetëm për t’u shmangur nga zgjedhjet i Zoran Zaevit është mënjanuar, zgjedhje do të ketë.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Por, koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, në kundërpërgjigjen e tij tha se zgjedhje do të ketë më 12 prill, por ka ligje të cilat duhet të miratohen deri më 31 dhjetor.
“Miratuam disa ligje me interes për qytetarët. Do ta theksoja ligjin për punë të brendshme ku kemi rregulluar një padrejtësi të madhe për personat që ishin të pensionuar sipas një ligji të vjetër. Deri në këtë moment seanca po zhvillohet ashtu siç do të duhej gjithnjë të zhvillohet, nuk shoh se ka ndonjë qëllim për bllokim, por para nesh ndodhen shumë pika. Zgjedhje do të ketë më 12 prill, por ka ligje të cilat duhet t’i miratojmë në këtë moment në këtë kuvend, pra t’i votojmë deri më 31 dhjetor.”,- u shpreh Jovan Mitrevski nga LSDM.
Për miratimin e Ligjit për Mbrojtje, Mitrevski tha se nuk është i lidhur me afatet kohore dhe për të nevojiten 2/3 e votave nga deputetët.
Deri më tani nuk po shohim se ka gatishmëri nga VMRO-DPMNE të japë mbështetje, ndërsa ky ligj do të hapet në momentin kur të kenë siguruar mbështetjen prej 2/3-ve, theksoi Mitrevski.
NAIM RAMDANI
