Maqedoni

Zaev: do të dorëhiqem më 3 janar. Nellovski: Brenda dy ditësh, emrat e ministrave të VMRO-së

27.12.2019 17:12

Kryeministri, Zoran Zaev, e ka përgatitur dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe pritet ta nënshkruajë dhe dorëzojë...

Kryeministri, Zoran Zaev, e ka përgatitur dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe pritet ta nënshkruajë dhe dorëzojë në Kuvend më 3 janar për t’i hapur rrugë qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit.
 
“Më 3 janar unë do të jap dorëheqjen time dhe besoj se në ditën e njëjtë mund t’i jepet mandati kryetarit të ri të qeverisë që të mundet ditën e njëjtë të zgjidhet qeveria dhe kështu do t’i shpëtojmë të gjitha afatet. Dorëheqja është nënshkruar dhe po pret kohën adekuate për ta nënshkruar.”,- theksoi kryeministri i RVM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev njëherit sqaroi se deklaratat e tij për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve kanë qenë me qëllim zhbllokimit të punës së Kuvendit për miratimin e ligjeve me interes për qytetarët, siç është rritja e pensioneve apo rrogave.
 
Zaev nuk e bëri të ditur emrin e zëvendëskryeministrit teknik, duke theksuar se këtë ua le ta konfirmojnë organet partiake.
 
Zaev ka thirrur për sonte mbledhje të kryesisë qendrore të partisë për të diskutuar emrin e kryeministrit teknik dhe zëvendësministrave. Emrat më të përfolur për të zëvendësuar kryeministrin Zaev janë Oliver Spasovski dhe Milla Carovska.
 
Edhe VMRO-DPMNE pritet të vendosë për emrat e ministrave dhe zëvendësministrave plotësues që i takojnë qeverisë teknike, për të cilat organet partiake e kanë autorizuar kryetarin Hristian Mickovski.
 
“Në komitetin qendror dhe ekzekutiv ne e kemi autorizuar kryetarin, Hristian Mickovski, të bisedojë dhe vendosë për zgjidhjet kuadrovike.”,- tha Vlladimir Nelloski nga VMRO-DPMNE.
 
Brenda dy ditësh do të dihen edhe emrat e ministrave dhe zëvendësministrave nga VMRO në qeverinë teknike, thonë nga kjo parti.  
 
GAZMEND REXHEPI