Maqedoni
“Zhvatja”, dëshmuan Banevski dhe Kolevska
27.12.2019 17:46
Ish gazetari i 1TV-së, Hristijan Banevski, dhe ndihmësja në shtëpinë e Jovanovskit, Dragana Kolevska...

Ish gazetari i 1TV-së, Hristijan Banevski, dhe ndihmësja në shtëpinë e Jovanovskit, Dragana Kolevska, kanë dhënë dëshmitë e tyre për rastin “Zhvatja”.
Banevski dëshmoi se si gazetar në 1TV i është kërkuar që të përgatisë storje investigative të cilat më vonë nuk janë vazhduar, apo kompanitë për të cilat është dashur të raportohet janë bërë klientë të marketingut në televizion.
Këtu kanë filluar edhe dyshimet e gazetarit, i cili i është kundërvënë kësaj politike të Boki 13, por ai është përgjigjur se televizioni duhet të jetojë nga diçka. Më vonë ka pasur edhe ndalesa për t’u raportuar në tema të caktuara, siç ka qenë shfuqizimi i vendimit për paraburgimin e të akuzuarve në rastin “Perandoria”.
“Një nga personat që duhej të hulumtonim, më tha mua në komunikim telefonik se ai nuk dëshironte të kishte asgjë me ne, sepse ne si televizion jemi zhvatës. Dhe kjo nuk është për t'u habitur kur punoni si gazetar investigativ. Por, ajo që më erdhi çudi është se pas një periudhe të caktuar pasi u takua me Bojanin, ai nuk kishte më asnjë problem që të takohet dhe të jepte deklaratë. Unë e njoftova Bojanit për këtë dhe se nuk do të bëhesha pjesë e kësaj dhe e pyeta nëse ai ishte duke e zhvatur këtë person, ai më tha se televizioni duhet të jetojë nga diçka.”,- tha dëshmitari në rastin “Zhvatja”, Hristijan Banevski.
Ish ndihmësja shtëpiake, Dragana Kolevska, në rolin e dëshmitarit të dytë në gjykatë, tregoi se personalitete të njohura e kanë vizituar shtëpinë e Bojan Jovanovskit, por nuk ka dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë por vetëm biseda të përgjithshme.
"Në shtëpinë e Jovanovskit vinin persona të njohur. Ka ardhur një herë Radmilla Shekerinska, Katica Janeva, Stefan Bogoev, Aleksandar Kiracovski, Lila Filipovska, Aneta Kocinshki, Orce Kamçev dhe Venko Filipçe. Mysafir i shpeshtë ishte Zoran Mileski, i cili vinte pothuajse çdo ditë, ndonjëherë as nuk trokiste në derë, por hynte brenda. Kishte biseda të përgjithshme. Vinin edhe gazetarë nga 1TV, si Aco Kabranov, Aneta Kocinski, gazetarët që punonin në emisionin INSajder, Gordana Duvnjak dhe Jadranka Kostova.”-, theksoi Kolevska.
Avokatët e Bojan Jovanovskit dhe Katica Janëvës nuk deshën që të prononcohen para kamerave.
Në gjykimin e sotëm nuk ishte prezent dëshmitari i tretë, Viktor Donevski, për shkak se përkohësisht është jashtë Maqedonisë.
Gjykimi për rastin “Zhvatja” do të vazhdojë më 3 janar, ku duhet të dëshmojë ish prokuroja e Prokurorisë Speciale, Elizabeta Josifovska.
GAZMEND KURTISHI
