Maqedoni
USHT, tribunë për sëmundjet kardiovaskulare
26.09.2014 18:01
Me rastin e “Ditës botërore të zemrës”, sot, në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të USHT-së u organizua tribunë shkencore kushtuar sëmundjeve kardiovaskulare...

Tribuna u organizua nga Grupi Shkencor i Studentëve të Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, e që u akreditua edhe nga Dhoma e Mjekëve të Republikës së Maqedonisë.
“Ky debat sot organizohet nën patronatin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, respektivisht Grupit Shkencor të Parlamentit Studentor të Fakultetit Shkencor me rastin e “Ditës botërore të zemrës”, tribunë kjo e akredituar nga Dhoma e Mjekëve të Republikës së Maqedonisë, ku do të trajtohen tema rreth problematikës të sëmundjeve të sistemit kardiovaskular. Kjo tribunë nuk do të jetë e fundit, ne do të vazhdojmë edhe me organizimin e tribunave tjera me tema të ndryshme, ku punëtorët shëndetësor do të njoftohen me risi të ndryshme nga lëmia e mjekësisë”- deklaroi dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në USHT, doc. dr. Nasir Bexheti.
Mjekët e sëmundjeve kardiovaskulare, Fatmir Ferati dhe Bekim Pocesta, thanë se kjo ditë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, pasi që njëherënë vit përkujtohet kjo sëmundje, ku mjekë në të gjithë botën sqarojnë mënyrën e parandalimit të kësaj sëmundje.
“”Dita botërore e zemrës” ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, për shkak se ne tregojmë rëndësinë që kjo sëmundje ka sidomos për rajonin tonë, për shkak se në kohën e fundit vërehet një paraqitje jashtëzakonisht e madhe e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat nuk kanë qenë karakteristike përpara. Ne, sot mbajtëm një ligjëratë bashkë me studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, me të cilët kemi qëllim që të sqarojmë mënyrën e parandalimit të këtyre sëmundjeve, si dhe mënyrën e trajtimit dhe pasqyrën klinike të këtyre, me qëllim që mjekët e rinj të jenë të njohur me këtë sëmundje, si duhet të prevenohet dhe si duhet të mjekohet”- tha kardiologu, Fatmir Ferati.
“Duke pasur parasysh peshën e vet sëmundjeve kardiovaskulare, kjo është një sëmundje që rregullisht duhet të përkujtohet të paktën njëherë në vit, ashtu siç e organizon edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Është një moment ose një ditë e veçantë, ku mund të përkujtohen të gjithë, jo vetëm personeli mjekësor, por e gjithë popullata të përkujtohen për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Këto tribuna gjithmonë e kanë peshën dhe rëndësinë e vet”- u shpreh kardiologu, Bekim Pocesta.
Studentët thonë se për “Ditën botërore të zemrës”, ditën e hënë, në Tetovë do të organizohen edhe disa aktivitete të tjera, ku do të bëhen edhe kontrolle falas për qytetarët.
MIFTAR EMINI
